ShBA-ja, Japonia e Koreja e Jugut mbajnë ushtrime ajrore, ia tregojnë forcën Koresë së Veriut
Oficerë të lartë ushtarakë nga Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia i bënë thirrje Koresë së Veriut që t’i pushojë të gjitha aktivitetet e paligjshme që e kërcënojnë sigurinë rajonale, përderisa tri vendet ngritën në qiell aeroplanë luftarakë të avancuar për një ushtrim të përbashkët si shfaqeje e forcës para Veriut.
Zhvillimi erdhi të premten, kur ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pritej të udhëtonte për në Korenë e Veriut në kohën e shtimit të bashkëpunimit ushtarak dhe në fusha të tjera mes dy vendeve, lëvizje që kanë shkaktuar shqetësim në mesin e fqinjëve të tyre, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Gjatë takimit të tyre të rregullt të premten në Seul, komandantët e shtabeve të përgjithshme të të tria shteteve diskutuan për dislokimin e trupave të Koresë së Veriut në Rusi për ta mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës dhe transferimin e mundshëm të teknologjisë ushtarake të Rusisë në Korenë e Veriut si këmbim.
“Ata i bënë thirrje Koresë së Veriut që menjëherë t’i pushojë të gjitha aktivitetet e paligjshme për t’i destabilizuar Gadishullin Korean, Indo-Paqësorin dhe më tej, dhe u zotuan që ta vazhdojnë punën së bashku për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve të Koresë së Veriut” – thuhet në një deklaratë të përbashkët për shtyp.
Tre komandantët diskutuan për mënyra të ndryshme për thellimin e bashkëpunimit me qëllim të garantimit të paqes dhe sigurisë në rajon, thuhet më tej në deklaratë.
Gjithashtu të premten, këto tri vende kryen një ushtrim ajror trepalësh në ujëra ndërkombëtare në jug të ishullit më jugor të Koresë së Jugut, Jeju. Qëllimi i ushtrimit, në të cilin përfshihen bombardues amerikanë B-52H që mund të bartin koka bërthamore, është që të përmirësohen kapacitetet e parandalimit dhe reagimit kundër kërcënimeve bërthamore e raketore të Koresë së Veriut, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut.