ShBA-ja: Irani, i përfshirë thellë në sulmet e rebelëve Houthi ndaj anijeve në Detin e Kuq
Administrata e presidentit Biden të ShBA-së tha të premten se Irani ka qenë “thellë i përfshirë” në planifikimin e sulmeve të rebelëve Houthi të Jemenit kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Duke cituar të dhëna të inteligjencës të deklasifikuara rishtazi, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, tha në një deklaratë se Irani po fron armë, fonde, trajnim e “inteligjencë taktike” për t’i mundësuar sulmet përgjatë korridorit kritik detar, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Përkrahja iraniane gjatë gjithë krizës në Gaza u ka mundësuar [rebelëve] Houthi që të nisin sulme kundër Izraelit dhe caqeve detare, edhe pse Irani shpesh ia kaloi autoritetin vendimmarrës operacional Houthi-ve”- shtoi zëdhënësja amerikane.
“Nga viti 2015, Irani u ka dërguar sisteme të avancuara armësh Houthi-ve, përfshirë sisteme ajrore pa pilotë, raketa me vetëdrejtim për sulme tokësore dhe raketa balistike që janë përdorur në sulme kundër anijeve detare, përfshirë anijet tregtare pa lidhje të njohura me Izraelin, dhe në sulme kundër Izraelit nga nëntori”- tha më tej zonja Watson.
Pa përkrahjen e vazhdueshme nga Irani, sipas saj, “Houthi-t do të kishin vështirësi për të përcjellë në mënyrë efektive e për të sulmuar anije tregtare”.
“Ne nuk kemi arsye që të besojmë se Irani po mundohet t’i dekurajojë Houthi-t nga kjo sjellje e pamatur”- tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë në ShBA.
Sulmet e rebelëve nga Jemeni ka nxitur një numër në rritje të kompanive që t’i ndërpresin lundrimet nëpër rrugën e rëndësishme detare të tregtisë globale.
Shtetet e Bashkuara kanë themeluar një koalicion detar për ta mbrojtur këtë vijë globale të tregtisë në Detin e Kuq.
Të enjten, Greqia njoftoi se do t’i bashkohej koalicionit detar të udhëhequr nga ShBA-ja, ndërsa Australia tha se do të dërgojë 11 pjesëtarë të personelit për ta mbështetur koalicionin, por jo edhe luftanije apo aeroplanë.