ShBA-ja i del në krah Izraelit: Qëndrojmë vendosmërisht me Qeverinë dhe popullin e tij
Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar sulmin me raketa nga militantët palestinezë ndaj Izraelit, duke thënë se ShBA-ja qëndrojë vendosmërisht me Qeverinë dhe popullin e Izraelit.
“Shtetet e Bashkuara i dënojnë pa mëdyshje sulmet e paprovokuara nga terroristët e Hamasit kundër civilëve izraelitë”- tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, Adrienne Watson, raporton televizioniBBC.
“Kurrë nuk ka asnjë justifikim për terrorizëm. Ne qëndrojmë vendosmërisht me Qeverinë dhe popullin e Izraelit dhe i shprehim ngushëllimet tona për jetën e izraelitëve që është humbur në këto sulme”- shtoi ajo.
Zyrtarja amerikane tha se këshilltari për Siguri Kombëtare i ShBA-së, Jake Sullivan, ka biseduar me këshilltarin izraelit për Siguri Kombëtare, Tzachi Hanegbi, dhe se Shtetet e Bashkuara mbeten në kontakt të ngushtë me partnerët izraelitë.
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, lëshoi një deklaratë në të cilën thuhet: “Unë jam duke i përcjellë për së afërmi zhvillimet në Izrael. Përkushtimi ynë ndaj të drejtës së Izraelit për ta mbrojtur veten mbetet i palëkundshëm dhe unë ua shpreh ngushëllimet e mia familjeve të atyre që e humbën jetën në këtë sulm të pështirë ndaj civilëve.”
“Gjatë ditëve të ardhshme, Departamenti i Mbrojtjes do të punojë për t’u siguruar që Izraeli ta ketë atë që i nevojitet për ta mbrojtur veten dhe për t’i mbrojtur civilët nga dhuna e terrorizmi pa dallim”- shtohet më tej.