ShBA-ja e Azerbajxhani nënshkruajnë partneritet strategjik gjatë vizitës së Vances
Shtetet e Bashkuara dhe Azerbajxhani të martën në Baku nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim strategjik që i përfshin ekonominë dhe sigurinë, kur Uashingtoni po synon që ta zgjerojë ndikimin e vet në një rajon ku Rusia dikur e kishte ndikimin kryesor.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, e nënshkroi marrëveshjen bashkë me nënpresidentin amerikan, JD Vance, i cili po e viziton Azerbajxhanin pasi fillimisht kishte qëndruar tek armikja fqinje, Armenia, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Aliyevi tha se Bakuja dhe Uashingtoni po hyjnë “në një fazë tërësisht të re” të bashkëpunimit në shitjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe inteligjencën artificiale dhe do ta vazhdojnë bashkëpunimin në sigurinë e energjisë dhe në luftën ndaj terrorizmit.
Vance tha se Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë Azerbajxhanit një numër anijesh, pa treguar sa, për ta ndihmuar këtë vend që t’i mbrojë ujërat e veta territoriale.
Gjatë vizitës së tij në Armeni këtë javë, Vance nënshkroi një marrëveshje me kryeministrin Nikol Pashinyan me të cilën mund t’i hapet rruga ndërtimit të një centrali bërthamor nga ShBA-ja në shtetin që për një kohë të gjatë ka qenë i varur nga energjia ruse dhe iraniane.
Nënpresidenti amerikan gjatë vizitave në këtë rajon gjithashtu është munduar që ta çojë përpara projektin “Rruga e Trumpit për Paqe dhe Mirëqenie Ndërkombëtare”, korridor i propozuar që do të kalonte nëpër territorin e Armenisë dhe do t’i jepte Azerbajxhanit qasje të drejtpërdrejtë në eksklavën Nakhchivan dhe në Turqi.
Kjo rrugë do ta lidhte me mirë Azinë me Evropën në kohën kur Uashingtoni dëshiron që t’i bëjë më të llojllojshme burimet e energjisë dhe qarkullimin tregtar, për t’i larguar ato nga Rusia për shkak të luftës së saj në Ukrainë./Nacionale