ShBA-ja do ta sanksionojë grupin izraelit që i kishte sulmuar kamionët me ndihma për Gazën - NACIONALE

ShBA-ja do ta sanksionojë grupin izraelit që i kishte sulmuar kamionët me ndihma për Gazën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Uashingtoni do t’i vendosë sanksione të premten një grupi izraelit për sulmet ndaj autokolonave me ndihma humanitare që ishin nisur për civilë të uritur në Gaza, i thanë agjencisë “Reuters” zyrtarët amerikanë.

Në shënjestër të sanksioneve do të jetë grupi “Tsav 9”, që ka lidhje me rezervistët e ushtrisë izraelite dhe kolonët hebrenj në Bregun e pushtuar Perëndimor, për shkak të disa veprimeve të anëtarëve të tij, përfshirë bllokimin, frikësimin dhe dëmtimin e dërgesave me ndihma, raporton agjencia “Reuters”.

Palestinezët kanë qenë në nevojë dëshpëruese për ndihma, përderisa Izraeli po i vazhdon pushtimin dhe bombardimet 8-mujore, që kanë lënë të vrarë të paktën 37 mijë njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Izraeli është ballafaquar edhe me akuza për bllokimin e ndihmave, të cilat i ka mohuar.

Elemente djathtiste në qeverinë izraelite, me lidhje me lëvizjen e kolonëve, e kanë kundërshtuar përpjekjen e presidentit amerikan, Joe Biden, për t’i dhënë fund luftës në Gaza, e cila ka filluar pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, kur u vranë rreth 1.200 njerëz, sipas shifrave të autoriteteve izraelite.

Sanksionet financiare do të vendosen sipas një urdhri ekzekutiv rreth dhunës në Bregun Perëndimor, të cilin Bideni e kishte nënshkruar në shkurt dhe që ishte përdorur më parë për t’u vendosur kufizime financiare kolonëve hebrenj të përfshirë në sulme ndaj palestinezëve si dhe një grupi militant palestinez.

Më 13 maj, anëtarë të grupit “Tsav 9” plaçkitën dhe më pas ua vunë flakën dy kamionëve me ndihma afër qytetit të Bregut Perëndimor, Hebron.

Lajme të ngjashme