ShBA-ja dhe Filipinet kryejnë patrulla të përbashkëta ajrore e detare në Detin e Kinës Jugore
Shtetet e Bashkuara dhe Filipinet po kryejnë patrulla të përbashkëta ajrore e detare në Detin e Kinës Jugore, kur të dyja vendet po e shtojnë bashkëpunimin përballë veprimeve gjithnjë më agresive të Kinës në atë pjesë të botës.
Forca Ajrore e Filipineve tha të mërkurën se aeroplanët e saj kishin marrë pjesë në patrulla të përbashkëta një ditë më parë afër Batanes-it, provinca më veriore e këtij shteti, që shtrihet vetëm rreth 200 kilometra larg Tajvanit, ishull me vetëqeverisje për të cilin Kina pretendon se është pjesë e territorit të saj, raporton agjencia “Associated Press”.
Patrullat do të vazhdojnë deri të enjten dhe i përfshijnë edhe forcat detare amerikane e filipinase. Këto patrulla po mbahen vetëm disa ditë pasi presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., e quajti gjithnjë më “të llahtarshme” situatën në Detin e Kinës Jugore, përderisa Kina synon që ta shfaqë praninë e saj në një zonë ku disa shtete kanë pretendime kundërthënëse territoriale.
Kur u pyet për këto patrulla, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, tha se pozicioni i Pekinit kishte qenë i qartë edhe për Filipinet, edhe për Shtetet e Bashkuara.
“Patrulla e përbashkët Filipine – ShBA nuk duhet t’i minojë sovranitetin territorial dhe të drejtat detare dhe interesat e Kinës”- tha ajo.
Flota e 7-të e ShBA-së tha se këto patrulla ishin pjesë e ndërveprimit rutinë të forcave amerikane me aleatët dhe partnerët e tyre për “ruajtjen e një rajoni të lirë e të hapur të Indo-Paqësorit”.
Kina pretendon se pothuajse tërë territori i Detit të Kinës Jugore është pjesë e ujërave të saj. Ky pretendim ka shkaktuar mosmarrëveshje jo vetëm me Filipinet, por edhe me Vietnamin, Malajzinë, Tajvanin e Brunein. Këto pretendime për një kohë të gjatë janë vlerësuar si pika të nxehta në rajon dhe e kanë nxitur rivalitetin ShBA – Kinë.

