ShBA-ja afër pajtimit për t’i dhënë Ukrainës raketa me rreze të gjatë JASSM
Shtetet e Bashkuara janë afër një marrëveshjeje për t’i dhënë Ukrainës raketa me rreze të gjatë që do të mund të arrinin thellë brenda Rusisë, por Kievi do të duhej të priste për disa muaj, përderisa Uashingtoni do të punonte për çështje teknike para ndonjë dërgese, thanë disa zyrtarë amerikanë.
Përfshirja e raketave JASSM në një pako armësh pritet të njoftohet këtë vjeshtë, thanë tri burime, edhe pse një vendim përfundimtar nuk është marrë. Burimet refuzuan që të identifikoheshin, sepse nuk janë të autorizuara për të diskutuar rreth kësaj teme, raporton agjencia “Reuters”.
Dërgimi i raketave JASSM në Ukrainë do të mund ta ndryshonte në masë domethënëse peizazhin strategjik të konfliktit duke vënë më shumë territor rus brenda rrezes së municioneve të fuqishme me drejtim preciz, shqetësim i rëndësishëm i administratës së presidentit Biden të ShBA-së, thanë zyrtarët amerikanë.
Analistët ushtarakë kanë sugjeruar se futja në përdorim e raketave JASSM – që janë tinëzare dhe mund të godasin më larg se shumica e raketave që Ukraina i ka tani për tani në inventar – do të mund t’i shtynin prapa me qindra kilometra zonat ruse të sulmit dhe depot e furnizimit.
Kjo do ta ndërlikonte fort aftësinë e Rusisë për t’i mbajtur operacionet e saj të ofensivës dhe potencialisht do t’i ofronin Ukrainës një përparësi strategjike.
Hedhja e tyre nga pika afër kufirit verior të Ukrainës me Rusinë do t’ua mundësonte ukrainasve goditjen e pozicioneve ushtarake deri te qytetet ruse, Voronezh dhe Bryansk. Në jug, hedhja e tyre afër vijave të frontit do të mundësonte sulme ndaj fushave ajrore ose objekteve të forcave detare në Krime.
Sistemi JASSM deri më tani është integruar vetëm në aeroplanë të dizajnuar nga ShBA-ja. Ukraina përfundimisht do të ketë në shfrytëzim disa aeroplanë luftarakë të tipit F-16, secili prej të cilëve mund të bartë nga dy raketa të tilla.
Njëri nga zyrtarët amerikanë tha se kishte përpjekje për t’i bërë raketat të operueshme në aeroplanë luftarakë jo-perëndimorë në inventarin e Ukrainës./Nacionale