SHBA dënon sulmet ruse ndaj termocentraleve të Ukrainës
Administrata Biden dënoi sot sulmet ruse ndaj termocentraleve në Ukrainë.
Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson tha se Rusia "gjithnjë e më shumë po i kthehet sulmeve të tmerrshme ndaj popullit ukrainas me goditje që dëmtojnë infrastrukturën e rrjetit të energjisë dhe po e bëjnë këtë qëllimisht me afrimin e dimrit".
Watson tha se sulmet nuk duket se kanë "qëllim ndaj ndonjë objektivi ushtarak", por në vend të kësaj "përparojnë qëllimin e regjimit të Putinit për të rritur vuajtjet dhe vdekjen".
SHBA paralajmëroi gjithashtu se veprimet tregojnë se "Rusia është e gatshme të rrisë rrezikun e një incidenti të sigurisë bërthamore që jo vetëm që mund të dëmtojë më tej Ukrainën, por edhe të prekë të gjithë rajonin". /Nacionale/