Sharaa i Sirisë ftohet nga Sisi në samitin urgjent të Ligës Arabe në Egjipt - NACIONALE

Sharaa i Sirisë ftohet nga Sisi në samitin urgjent të Ligës Arabe në Egjipt

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka pranuar një ftesë nga homologu egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, për të marrë pjesë në një samit urgjent të Ligës Arabe në Kajro më 4 mars, njoftoi përmes një deklarate të dielën presidenca siriane, duke shënuar një hap të rëndësishëm në rindërtimin e marrëdhënieve me botën arabe pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad.

Sharaa, grupi i të cilit, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), e udhëhoqi ofensivën me të cilën u rrëzua autokrati Assad në dhjetor, u shpall president për fazën kalimtare muajin e kaluar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Që nga ardhja në pushtet, Sharaa është munduar t’i fuqizojë lidhjet me vendet arabe, duke u zotuar për një tranzicion politik që e përfshin formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse dhe mbajtjen e zgjedhjeve, periudhë që, sipas tij, mund të zgjasë deri në pesë vjet për t’u organizuar.

Egjipti, i cili islamistët i sheh si rrezik ekzistencial, ka bërë hapa të kujdesshëm pas ardhjes së Sharaas në pushtet. Zyrtarët egjiptianë kanë thënë se administrata e re e Sirisë duhet të zbatojë një tranzicion politik gjithëpërfshirës të lirë nga “ndërhyrjet e jashtme”.

Edhe pse Sisi e ka uruar Sharaan për zgjedhjen e tij, takimi i parë i tyre sy më sy pritet të zhvillohet pikërisht gjatë samitit të Ligës Arabe.

Në samitin e marsit në Kajro, fokusi pritet të jetë kryesisht te përpjekjet e vendeve arabe për t’iu kundërvënë planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për ta shndërruar Gazën në resort ndërkombëtar dhe thirrjeve të tij ndaj Egjiptit dhe Jordanisë për t’i pranuar banorët e enklavës palestineze, të cilët do të zhvendoseshin nga vendlindja e tyre./Nacionale

Lajme të ngjashme