Serbia e zhgënjen Palestinën, s’e përkrah rezolutën e OKB-së për armëpushim në Gaza - NACIONALE

Serbia e zhgënjen Palestinën, s’e përkrah rezolutën e OKB-së për armëpushim në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të premten miratoi me shumicë votash një rezolutë që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Sidoqoftë, Shqipëria, Serbia dhe disa vende të tjera nuk e mbështetën këtë thirrje.

Përmes kësaj rezolute bëhet thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza, lirimin e të gjithë civilëve, mbrojtjen e civilëve dhe të institucioneve ndërkombëtare si dhe sigurimin e kalimit të sigurt të ndihmave në Rripin e Gazës, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Kjo rezolutë nuk është ligjërisht e detyrueshme, por e thekson mbështetjen dërrmuese ndërkombëtare për palestinezët në kohën e fushatës ushtarake izraelite si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor, thekson gazeta izraelite.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme u përkrah nga 120 shtete, vetëm 14 shtete ishin kundër saj, ndërsa 45 të tjera abstenuan, përfshirë Shqipërinë, Serbinë e Maqedoninë e Veriut. Shtetet e Bashkuara, Izraeli e disa vende të tjera.

Izraeli i ka refuzuar thirrjet për armëpushim në Gaza, duke thënë se është i përkushtuar për ta përmbysur Hamasin për të parandaluar ndonjë sulm tjetër masiv si ai para tri javëve, kur më shumë se 1.400 njerëz u vranë. Militantët palestinezë kanë marrë edhe rreth 230 pengje – kryesisht civile – dhe deri më tani i kanë liruar vetëm katër.

Ambasadori i ri palestinez në Beograd, Muhamed Al Namur, në gusht deklaroi në Beograd se Palestina e cilëson Serbinë vend mik dhe se nuk do të lëvizë nga pozicioni për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.

Lajme të ngjashme