Senatori Sanders do të detyrojë votim në Senat kundër shitjes miliardëshe të armëve Izraelit - NACIONALE

Senatori Sanders do të detyrojë votim në Senat kundër shitjes miliardëshe të armëve Izraelit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Senatori i Shteteve të Bashkuara, Bernie Sanders, tha të enjten se javën e ardhshme do ta bëjë të detyrueshëm mbajtjen e një votimi me të cilin do të bllokohej shitja e armëve me vlerë prej 8,8 miliardë dollarësh Izraelit, duke e përmendur si arsye krizën e të drejtave të njeriut me të cilën po ballafaqohen palestinezët në Gaza pas bombardimeve izraelite dhe pezullimin e dërgesave me ndihma nga autoritetet izraelite.

(Kryeministri izraelit) Netanyahu qartazi i ka shkelur ligjet amerikane dhe ndërkombëtare në këtë luftë brutale dhe ne duhet t’i japim fund bashkëfajësisë sonë në këtë kërdi”- tha Sanders në një deklaratë ku e njoftoi planin e tij, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Më shumë se 50 mijë palestinezë janë vrarë nga fushata ushtarake e Izraelit në Gaza, sipas zyrtarëve palestinezë. Lufta nisi pasi mijëra të armatosur të udhëhequr nga Hamasi kryen sulme në jug të Izraelit në tetor të vitit 2023, duke vrarë 1.200 njerëz e duke marrë peng 251 të tjerë, sipas shifrave izraelite.

“Asnjë ndihmë humanitare nuk ka hyrë në Gaza në më shumë se tri javë e gjysmë që nga koha kur autoritetet izraelite njoftuan një bllokadë të plotë – nuk ka ushqim, ujë, ilaçe pse karburante që nga fillimi i marsit” – tha senatori Sanders në një deklaratë.

Muajin e kaluar, shefi i agjencisë së OKB-së për të drejtat e njeriut e akuzoi Izraelin për shpërfillje të pashembullt të të drejtave të njeriut gjatë veprimeve ushtarake në Gaza dhe tha se Hamasi e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Senati i ShBA-së me shumicë dërrmuese kishte votuar në nëntor për të bllokuar tri rezoluta të paraqitura nga senatori Sanders, me të cilat do të ndërpritej transferimi i armëve të miratuara nga administrata e presidentit të atëhershëm, Joe Biden, demokrat i kritikuar nga progresistët se kishte bërë shumë pak për t’i ndihmuar palestinezët, përderisa kushtet në Gaza po përkeqësoheshin./Nacionale

Lajme të ngjashme