Senatori amerikan “thellësisht i shqetësuar” pasi i pa sulmet ndaj barkave të dyshimta
Jack Reed, senator i Partisë Demokratike në Komisionin e Shërbimeve të Armatosura në Senatin e ShBA-së, tha të enjten se është “thellësisht i shqetësuar” nga pamjet e një sulmi me dy goditje që ndodhi më 2 shtator ndaj një barke të dyshimtë për trafikimin e drogës afër brigjeve të Venezuelës.
Ligjvënësi nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pas një takimi të klasifikuar me admiralin Frank Bradley dhe gjeneralin Dan Caine, raporton gazeta “The Guardian”.
Megjithatë, Reed tha në një deklaratë se Pentagoni “nuk ka zgjedhje” tjetër pos ta publikojë videon e paredaktuar të sulmit.
“Ky takim e vërtetoi frikën time më të keqe për natyrën e aktiviteteve ushtarake të administratës së Trumpit” – tha senatori.
“Kjo duhet dhe do të jetë vetëm fillimi i hetimit tonë në këtë incident” – paralajmëroi ai.
Me këtë sulm u godit një barkë e dyshimtë në Karaibe dhe thuhet se dy persona kishin mbijetuar, duke qëndruar të varur për barke para se gjoja një sulm tjetër të urdhërohej dhe t’i linte ata të vdekur, raporton televizioni BBC.
Sulmi i kryer më 2 shtator ka nxitur shqetësime se forcat amerikane mund t’i kenë shkelur ligjet që kanë të bëjnë me konfliktet e armatosura.
Më shumë se 80 njerëz janë vrarë nga një valë e sulmeve të ngjashme në Detin e Karaibeve dhe në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor nga fillimi i shtatorit.