Senati i ShBA-së voton për ndaljen e luftës me Iranin - NACIONALE

Senati i ShBA-së voton për ndaljen e luftës me Iranin

1 orë më parë

nga NACIONALE

Senati i Shteteve të Bashkuara, ku shumicën e ulëseve e ka Partia Republikane e presidentit Donald Trump, të martën e mbështeti legjislacionin për ndërprerjen e veprimeve ushtarake amerikane kundër Iranit, por nuk ishte menjëherë e qartë se si do të ndikojë kjo masë në luftë, kur administrata e Trumpit po negocion një marrëveshje të paqes me shtetin aziatik.

Senatoi votoi me 50 vota “për” dhe 48 “kundër” rezolutës, e cila ishte miratuar edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve më herët këtë muaj, duke pasqyruar shqetësim në rritje edhe në mesin e disa republikanëve të Trumpit rreth konfliktit të papopullarizuar që nisi më 28 shkurt, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kjo ishte hera e parë që të dyja dhomat e Kongresit miratojnë një rezolutë që e udhëzon presidentin që t’i tërheqë forcat amerikane nga veprimet armiqësore, siç përcaktohet në Rezolutën e Kompetencave të Luftës, dokument i vitit 1973, i njohur më mirë si Akti për Kompetencat e Luftës.

Edhe pse ka gjasa që votimi të mbetet kryesisht simbolik, ai shënon një hap të qartë prapa për Trumpin, i cili deri rishtazi gëzonte përkrahje pothuajse të plotë nga anëtarët republikanë të Kongresit. Republikanët kanë shumicë të ngushtë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.

Sipas Aktit për Kompetencat e Luftës, masa nuk i dërgohet Shtëpisë së Bardhë për t’u nënshkruar nga Trumpi. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka këmbëngulur se ky legjislacion nuk është kushtetues dhe, rrjedhimisht, as ligjërisht i detyrueshëm.

Ekspertët thonë se kjo gjë mbetet çështje ligjore e kontestuar që me gjasë do të zgjidhet në gjykata./Nacionale

Lajme të ngjashme