Senati i ShBA-së e rrëzon rezolutën e senatorit Sanders për t’ia kushtëzuar ndihmat Izraelit - NACIONALE

Senati i ShBA-së e rrëzon rezolutën e senatorit Sanders për t’ia kushtëzuar ndihmat Izraelit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Senati i Shteteve të Bashkuara të martën rrëzoi një rezolutë të senatorit Bernie Sanders, me të cilën Departamenti i Shtetit do të detyrohej që brenda 30 ditëve të hartonte një raport për të konkluduar nëse Izraeli ka kryer shkelje të të drejtave të njeriut gjatë fushatës ushtarake kundër Hamasit në Gaza.

Rezoluta u paraqit nga senatori progresist, Bernie Sanders, i cili synonte që t’i ngrinte të gjitha ndihmat e sigurisë të ShBA-së për Izraelin derisa të hartohej ky raport, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Kjo rezolutë u kundërshtua nga 72 senatorë, ndërsa u përkrah nga vetëm 11 të tjerë: demokratët Jeff Merkley, Chris Van Hollen, Heinrich, Laphonza Butler, Ed Markey, Ben Ray Lujan, Mazie Hirono, Peter Welch e Elizabeth Warren, republikani Rand Paul dhe senatori i pavarur, Bernie Sanders.

Edhe pse rezoluta u rrëzua me shumicë votash, ajo e pasqyroi shqetësimin në rritje në mesin e disa bashkëpartiakëve të presidentit Joe Biden, sidomos nga e majta. Senatorët që e përkrahën rezolutën përbëjnë grup të vogël por në rritje në krahun e majtistëve të Partisë Demokratike, bashkë me disa liberalë republikanë, të cilët i kundërshtojnë të gjitha ndihmat për shtetet e huaja.

“Ne duhet të sigurohemi që ndihma e ShBA-së po përdoret në përputhje me të drejtat e njeriut dhe me vetë ligjet tona”- tha senatori Sanders në një fjalim para votimit të rezolutës, duke bërë thirrje për përkrahjen e saj e duke e vajtuar atë që ai e përshkroi si dështim të Senatit për të shqyrtuar ndonjë masë rreth efektit të luftës ndaj civilëve.

Shtëpia e Bardhë kishte thënë se e kundërshton këtë rezolutë, e cila do të mund ta hapte rrugën për imponimin e kushteve ndaj asistencës së sigurisë për Izraelin.

Senatorët që e kundërshtuan rezolutën e kolegut Sanders thanë se ajo do të dërgonte porosi të gabuar, në një kohë kur Izraeli kishte thënë se po kalonte në një fushatë më të shënjestruar në Gaza.

“Kjo rezolutë nuk është vetëm e gabuar, është e rrezikshme. Ajo e dërgon absolutisht sinjalin e gabuar në kohën e gabuar”- tha senatori republikan, Lindsey Graham.

Shtetet e Bashkuara i japin Izraelit asistencë sigurie me vlerë të 3,8 miliardë dollarëve çdo vit, përfshirë aeroplanë luftarakë e bomba të fuqishme, të cilat mund t’i shkatërrojnë tunelet e Hamasit. Presidenti Biden ka kërkuar nga Kongresi që të miratojë 14 miliardë dollarë shtesë ndihmë për Izraelin.

Lajme të ngjashme