Senati i ShBA-së do të votojë për kompetencat e luftës, synohen kufizime ndaj Trumpit
Senati i Shteteve të Bashkuara pritet të votojë për një rezolutë rreth kompetencave për luftën me qëllim të kufizimit të aftësisë së presidentit Donald Trump për të urdhëruar veprime të mëtejme ushtarake në Iran.
Me këtë rezolutë do të kërkohej tërheqja e forcave amerikane nga konflikti, nëse Kongresi nuk e miraton operacionin. Megjithatë, përpjekjet e mëparshme për masa të tilla kanë dështuar dhe është e paqartë se sa do ta ndryshonte luftën miratimi i mundshëm i një rezolute të tillë, raporton televizioni BBC.
Demokratët argumentojnë se Trumpi e anashkaloi Kongresin dhe ka ofruar arsye që kanë ndryshuar ndërkohë për luftën ndaj Iranit. Shumica e republikanëve, në anën tjetër, thonë se do ta bllokojnë rezolutën, por mund ta ndryshojnë qëndrimin e tyre, nëse lufta zgjerohet.
Votimi në Kongres vjen pesë ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli filluan sulme ndaj Iranit. Teherani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj Izraelit dhe vendeve aleate të ShBA-së në Gjirin Persik.
Shumica e demokratëve në Senat pritet që ta mbështesin rezolutën. Numri i saktë i republikanëve që do ta mbështesin atë mbetet i paqartë, por për miratimin e rezolutës do të nevojiten më shumë se 50 vota.
Edhe nëse miratohet në Senat, rezoluta do të duhej të dërgohej në Dhomën e Përfaqësuesve, ku pritet të votohet të enjten.
Më pas, rezoluta do të duhej të mos bllokohej me veto nga presidenti Trump. Për ta shmangur veton e presidentit, dy dhomat e Kongresit duhet ta miratojnë rezolutën me dy të tretat e votave.
Presidenti ka autoritet të gjerë për nisjen e veprimeve ushtarake pa shpallje formale të luftës, por Kongresi, sipas ligjit, duhet të njoftohet brenda 48 orësh pas fillimit të luftimeve./Nacionale