Stoltenberg: Lufta e Ukrainës, më e rrezikshmja për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore - NACIONALE

Stoltenberg: Lufta e Ukrainës, më e rrezikshmja për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjten se lufta në Ukrainë është momenti më i rrezikshëm për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se Rusia nuk duhet të lejohet që të fitojë.

Sipas tij, për t’ia parandaluar fitoren Rusisë, NATO-ja dhe vendet e saj mund të detyrohen që ta vazhdojnë përkrahjen ndaj Ukrainës me armë dhe ndihma të tjera për një periudhë të gjatë kohore.

“Është në interesin tonë që ky lloj i politikës agresive të mos ketë sukses”, tha ish-kryeministri norvegjez në një fjalim që e mbajti në atdhe.

“Ajo që ndodh në Ukrainë, është e tmerrshme, por do të ishte shumë më keq, nëse do të kishte një luftë mes Rusisë dhe NATO-s”, tha ai.

Duke e përshkruar atë që Moska e quan “operacion special ushtarak” si sulm ndaj rendit aktual botëror, Stoltenberg-u tha se aleanca duhej që parandalonte përhapjen e luftës.

“Kjo është situata më e rrezikshme në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Nëse presidenti Putin vetëm mendon që t’i bëjë diçka të ngjashme një vendi të NATO-s siç u ka bërë Gjeorgjisë, Moldavisë ose Ukrainës, atëherë tërë NATO-ja do të përfshihet menjëherë”, tha sekretari i aleancës më të fuqishme në botë.

“Ky nuk është vetëm një sulm ndaj Ukrainës, shtet i pavarur e demokratik me mbi 40 milionë banorë, është gjithashtu sulm ndaj vlerave tona dhe ndaj rendit botëror që ne e dëshirojmë”, shtoi ai.

Stoltenberg-u foli në ishullin Utoeya, ku një ekstremist i djathtë vrau 69 persona më 2011. Pas këtij sulmi, ishulli i vogël norvegjez është bërë qendër për mësimin e vlerave demokratike./Nacionale

Lajme të ngjashme