Së shpejti pritet telefonata Trump – Putin, thotë këshilltari i amerikanit
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, pritet të zhvillojnë një telefonatë në ditët ose javët e ardhshme dhe është joreale që të synohet dëbimi i ushtarëve rusë nga secili centimetër i territorit ukrainas, tha një këshilltari i lartë i Trumpit.
Kongresisti amerikan, Mike Waltz, i cili është nominuar për postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare, tha të dielën se lufta në Ukrainë është bërë “makinë për grirjen e mishit ndaj njerëzve e burimeve” në stilin e Luftës së Parë Botërore e me pasoja të një “lufte të tretë botërore”.
“Të gjithë e dinë se kjo duhet të përfundojë disi në mënyrë diplomatike” – tha Waltz-i, figurë besnike e Trumpit që gjithashtu ka shërbyer në Garbën Kombëtare si Kolonel, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Unë thjesht nuk mendoj që është reale të thuhet që ne do ta dëbojmë secilin rus nga secili centimetër i tokës ukrainase, madje edhe nga Krimea. Presidenti Trump e ka njohur atë realitet dhe mendoj që ka qenë një hap shumë i madh përpara që e tërë bota është duke e njohur atë realitet. Tani le të lëvizim përpara” – shtoi ai.

Kur u pyet në mënyrë specifike për kontaktet mes Trumpit dhe Putinit, Waltz-i tha: “Unë pres një telefonatë, të paktën në ditët dhe javët në vijim. Pra, ky do të ishte një hap dhe ne do ta nisim këtë prej atje.”
Pushtimi rus i Ukrainës, i cili nisi në shkurtin e vitit 2022, ka lënë dhjetëra mijëra të vdekur, e ka shkaktuar zhvendosjen e miliona të tjerëve dhe e ka nxitur përçarjen më të madhe në marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit që nga Kriza Kubane e Raketave e vitit 1962.
Zyrtarët amerikanë e paraqesin Rusinë si autokraci të korruptuar që është kërcënimi më i madh ndaj Shteteve të Bashkuara dhe që ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, ka burgosur shtetas amerikanë nën akuza të rreme dhe ka depërtuar në fushata sabotimi kundër aleatëve të ShBA-së.
Në anën tjetër, zyrtarët rusë thonë se Shtetet e Bashkuara janë fuqi në rënie dhe në mënyrë të vazhdueshme i kanë shpërfillur interesat e Rusisë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe se mbjellja e mosmarrëveshjeve brenda Rusisë është përpjekje për ta përçarë shoqërinë ruse dhe për t’i çuar përpara interesat amerikane./Nacionale