Së paku katër të vrarë nga sulmi izraelit në oborrin e një spitali në Gaza - NACIONALE

Së paku katër të vrarë nga sulmi izraelit në oborrin e një spitali në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një sulm ajror izraelit në oborrin e një spitali në Rripin e Gazës të hënën herët la të vrarë të paktën katër njerëz dhe shkaktoi një zjarr që kaploi një tendë për persona të zhvendosur nga lufta. Më shumë se 20 prej tyre pësuan djegie të rënda, sipas mjekëve palestinezë.

Ushtria izraelite tha se vuri në shënjestër militantë që po fshiheshin mes civilëve, pa ofruar dëshmi. Muajve të fundit, forcat izraelite në mënyrë të përsëritur strehimore të dendura e kampe me tenda, duke pretenduar se luftëtarë të Hamasit ishin duke i përdorur ato si vendnisje të sulmeve, raporton agjencia “Associated Press”.

Spitali “Martirët e Al-Aksës”, në qytetin qendror, Deir al-Balah, tashmë ishte duke u ballafaquar me vështirësi për trajtimin e një numri të madh të të plagosurve nga një sulm i mëhershëm ndaj një shkolle të shndërruar në strehimore, ku u vranë të paktën 20 njerëz, kur sulmi ajror ndodhi herët në mëngjes dhe zjarri kaploi shumë prej tendave.

Disa shpërthime dytësore mund të dëgjoheshin pas sulmit fillestar, por nuk qe menjëherë e qartë nëse ato u shkaktuan nga armët apo rezervuarët e naftës.

Në pamje të agjencisë “Associated Press” u panë fëmijë në mesin e të lënduarve. Një burrë po qante, përderisa po bartte një fëmijë me kokë të lidhur. Një fëmije tjetër të vogël, me këmbë të lidhur me fashë, po i jepej transfuzion gjaku në dyshemenë e spitalit të mbushur me njerëz.

Të dhënat e spitalit treguan për katër njerëz të vrarë e 40 të tjerë të plagosur. 25 persona u transferuan në spitalin “Nasser” në jug të Gazës, pasi kishin pësuar djegie të rënda, sipas spitalit “Martirët e Al-Aksës”.

Lajme të ngjashme