Së paku 70 të vrarë – përfshirë 22 fëmijë – nga sulmet ajrore izraelite në Gaza
Sulmet ajrore izraelite në pjesën veriore dhe jugore të Gazës lanë të mërkurën të paktën 70 të vrarë, përfshirë 22 fëmijë, sipas spitaleve lokale dhe zyrtarëve shëndetësorë, një ditë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se “në asnjë mënyrë” nuk do ta ndalte ofensivën izraelite në territorin palestinez para se të mposhtet Hamasi.
Të paktën 50 njerëz, përfshirë 22 fëmijë, u vranë vetëm nga sulmet përreth Jabalias në pjesën veriore të Gazës, sipas spitaleve dhe Ministrisë së Shëndetësisë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ushtria izraelite refuzoi që t’i komentonte sulmet, por të martën vonë i kishte paralajmëruar banorët në Jabalia që të evakuoheshin, duke e përmendur infrastrukturën e militantëve në zonë, përfshirë raketahedhësit.
Në Jabalia, punëtorët e shpëtimit i larguan copëzat e shembura të betonit duke përdorur vegla dore, me ndihmën e dritave nga telefonat celularë, për t’i tërhequr trupat e fëmijëve.
Në komentet e lëshuara nga zyra e Netanyahut të martën, kryeministri tha se forcat izraelite janë disa ditë larg përshkallëzimit të premtuar të forcës dhe do të hyjnë në Gaza “me forcë të madhe për ta kompletuar misionin. … Kjo do të thotë shkatërrimi i Hamasit.”
Ekspertët ndërkombëtarë të sigurisë ushqimore paralajmëruan më herët këtë javë se Gaza me gjasë do të bjerë në rrezik për vdekje nga uria, nëse Izraeli nuk e largon bllokadën ndaj hyrjes së ndihmave dhe nëse nuk e ndal fushatën ushtarake.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka kritikuar ashpër vendimin e Netanyahut për bllokimin e ndihmave, duke e quajtur “turp” që ka shkaktuar një krizë të madhe humanitare.
“E them me forcë, ajo që qeveria e Benjamin Netanyahut është duke bërë sot është e papranueshme. Nuk ka ilaçe. Nuk mund t’i nxjerrim të lënduarit. Mjekët nuk mund të hyjnë” – shtoi ai.
Macroni, i cili vizitoi disa palestinezë të lënduar në Egjipt muajin e kaluar, bëri thirrje për rihapjen e kufirit të Gazës për autokolonat me ndihma humanitare. “Atëherë, po, duhet të luftojmë për ta demilitarizuar Hamasin, për t’i liruar pengjet dhe për të ndërtuar një zgjidhje politike” – tha ai./Nacionale