Së paku 40 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, vazhdojnë përpjekjet për armëpushim
Të paktën 40 palestinezë u vranë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, thanë të mërkurën zyrtarët e spitaleve, ndërsa ndërmjetësit ndërkombëtarë po mundohen që të arrijnë një marrëveshje armëpushimi.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e zhvilloi takimin e dytë brenda dy ditëve me presidentin amerikan, Donald Trump, të martën në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë. Trumpi ka bërë përpjekje për një armëpushim që mund të çojë në përfundimin e luftës 21-mujore në Gaza. Izraeli dhe Hamasi janë duke shqyrtuar një propozim për armëpushim të përkrahur nga ShBA-ja që do ta ndalte luftën përkohësisht, do t’i lironte pengjet izraelite dhe do të siguronte ndihma shumë të nevojshme në Gaza.
Spitali “Nasser” në qytetin jugor Khan Younis tha se në mesin e të vdekurve ishin 17 gra e dhjetë fëmijë, duke shtuar se u vranë dhjetë njerëz nga e njëjta familje, përfshirë tre fëmijë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ushtria izraelite nuk i komentoi sulmet specifike, por tha se kishte goditur më shumë se 100 caqe në mbarë Gazën gjatë ditës së kaluar, përfshirë militantët, strukturat e minuara, objektet për vendosjen e armëve, raketahedhësit e tunelet. Izraeli e akuzon Hamasin se fsheh armë dhe luftëtarë në mesin e civilëve.
Të mërkurën, një turmë njerëzish ua dhanë lamtumirën dhjetë anëtarëve të familjes Shaaban, të cilët u vranë nga një sulm izraelit gjatë kohës kur po qëndronin brenda tendës së tyre në KhanYounis.
“I gjeta të gjithë fëmijët e mi të vdekur dhe tre fëmijët e vajzës sime të vdekur” – tha Um Mohammad Shaaban. “Supozohet se vendi ku jemi të jetë zonë e sigurt” – shtoi ajo.