Së paku 34 të vrarë derisa po kërkonin ndihma në Gaza në 24 orët e fundit, thotë ministria - NACIONALE

Së paku 34 të vrarë derisa po kërkonin ndihma në Gaza në 24 orët e fundit, thotë ministria

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Të paktën 34 njerëz janë vrarë përderisa po kërkonin ndihma në Gaza në 24 orët e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavë, e cila menaxhohet nga Hamasi.

Sipas kësaj ministrie, përpos të vrarëve, edhe 644 njerëz të tjerë pësuan lëndime gjatë përpjekjeve për të marrë ndihma në të njëjtën periudhë, raporton televizioni CNN.

Ministria e Shëndetësisë nuk dha ndonjë hollësi të mëtejme për atë se kur ose si u vranë ose u lënduan këta njerëz. Televizioni i lidhur me Hamasin, “Al-Aqsa TV”, raportoi se 22 njerëz u vranë derisa prisnin për ndihma të martën në pjesën veriore të Rripit të Gazës.

Zyra për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara ka thënë se të paktën 1 mijë e 54 palestinezë “janë vrarë nga ushtria izraelite në Gaza derisa po mundoheshin të siguronin qasje në ushqim” nga 27 maji deri më 21 korrik.

27 maji është data kur e filloi operimin në enklavë Fondacioni Humanitar i Gazës, i cili përkrahet nga Shtetet e Bashkuara. Ky fondacion nuk operon në pjesën veriore të Gazës, prandaj 22 vdekjet e raportuara nga televizioni “Al-Aqsa TV” nuk mund të kenë ndodhur afër pikave të tij të shpërndarjes.

Kur u pyet për koment, ushtria izraelite tha se është “duke operuar për t’i çmontuar kapacitetet ushtarake të Hamasit”./Nacionale

Lajme të ngjashme