Së paku 25 të vdekur e 26 të zhdukur nga vërshimet në Filipine
Ekipet e shpëtimit në nëntë provinca të Filipineve po mundohen që të gjejnë 26 persona të zhdukur pas reshjeve, vërshimeve e rrëshqitjes së dheut në fundjavë. Raportohet për të paktën 25 të vdekur.
Agjencia kombëtare për fatkeqësi të mërkurën tha se numri i viktimave është rritur nga 17 në 25. Shumica e viktimave kanë vdekur nga mbytja në ujin e vërshimeve, shkruan “The Guardian”, përcjell “Nacionale”.
“Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, të udhëhequra roja bregdetare, sepse shumica e njerëzve janë peshkatarë të zhdukur”- tha Diego Agustin nga agjencia për fatkeqësi.
Kjo agjenci ka regjistruar më shumë se 300 zona të vërshuara dhe 20 raste të rrëshqitjes së dheut, të cilat së bashku kanë detyruar mbi 80 mijë njerëz që të strehohen në qendrat e evakuimit. Shumica e zonave të vërshuara tashmë janë në gjendje më të lehtë.
Agjencia shtetërore e motit tha se reshjet e lehta dhe mesatare të shiut do të vazhdojnë në zonat qendrore dhe jugore deri të enjten.
Mediet lokale shfaqën pamje të njerëzve të dyndur në palestra të shndërruara në qendra evakuimi dhe banorë duke i larguar mbetjet e duke i pastruar shtëpitë pas reshjeve të dendura.
