Së paku 22 të vdekur nga përmbytja e një barke në Kongo
Një barkë lumi është përmbytur në pjesën perëndimore të Republikës Demokratike të Kongos, duke lënë të vdekur të paktën 22 njerëz, pasi kuverta e sipërme e saj, që ishte e stërngarkuar, u shemb, i tha të mërkurën agjencisë së lajmeve “Reuters” një zyrtar lokal.
Aksidentet me barka janë të zakonshme në Kongo, ku barka të vjetra, të ndërtuara nga druri, janë forma kryesore e transportit mes fshatrave dhe shpesh ngarkohen përtej kapacitetit të tyre, raporton agjencia “Reuters”.
Në barkë ndodheshin rreth 100 pasagjerë, kur ajo u përmbyt ë martën në provincën perëndimore Mai-Ndombe, tha zyrtari lokal. Në mesin e viktimave ishin 15 gra, pesë burra e dy fëmijë.
“Derisa të kemi barka më të sigurta metalike, do të vazhdojmë të kemi fundosje të anijeve. Ka mijëra të tilla nga druri që qarkullojnë në ujërat e Mai-Ndombes” – tha guvernatori provincial, Lebon Nkoso Kevani.
Ai shtoi se një ekip i zyrtarëve provincial ishte dislokuar në zonë për të zhvilluar hetim dhe se shumë pasagjerë besohet se kishin arritur të dilnin në breg pas fatkeqësisë.
Në tetor, të paktën 78 njerëz vdiqën, kur një barkë me 278 pasagjerë u përmbyt në Liqenin Kivu, në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos.
Anicet Babanga, senator për provincën Mai-Ndombe, i tha agjencisë “Reuters” të mërkurën se rreth 30 persona janë konfirmuar si të mbijetuar të fatkeqësisë së fundit dhe se ishte duke u zhvilluar një kërkim për ta zbuluar fatin e pasagjerëve të tjerë.