Së paku 15 të vdekur nga vërshimet në SHBA, priten më shumë viktima - NACIONALE

Së paku 15 të vdekur nga vërshimet në SHBA, priten më shumë viktima

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ekipet e kërkim-shpëtimit, të përkrahura nga Garda Kombëtare, kërkuan njerëz të zhdukur të premten në vërshimet rekorde, që kanë përfshirë komunitete në disa nga vendet më të varfra në ShBA. Guvernatori i shtetit Kentucky tha se 15 persona kanë vdekur, shifër që pritet të rritet përderisa reshjet po vazhdojnë.

“Ende duhet të bëjmë shumë kërkim. Ende kemi njerëz të zhdukur”, tha Jerry Stacy, drejtor i menaxhimit të emergjencave në distriktin Perry në Kentucky.

Guvernatori Andy Beshear i tha agjencisë “Associated Press” para se ta vizitonte zonën e prekur nga vërshimet se në mesin e 15 viktimave ka fëmijë. “Unë pres që numri të rritet për më shumë se dyfish, ndoshta edhe gjatë ditës”, tha ai.

Ekipet emergjente realizuan rreth 50 shpëtime përmes ajrit dhe qindra shpëtime nga uji të enjten. Sidoqoftë, guvernatori tha se ende ka njerëz që kanë nevojë për ndihmë.

“Kjo nuk është vetëm një fatkeqësi që po vazhdon, por një kërkim-shpëtim që po vazhdon. Uji nuk do ta arrijë nivelin më të lartë deri nesër në disa zona”, tha guvernatori.

Përcaktimi i numrit të njerëzve që mungojnë është i vështirë. Rrjeti elektrik dhe rrjeti telefonik nuk janë duke funksionuar.

Guvernatori tha se mbi 200 persona kanë kërkuar strehim. Ai dërgoi ushtarë të Gardës Kombëtare në zonat më të prekura. Në tri parqe u ndërtuan hapësira për strehim, ndërsa guvernatori hapi një fond për donacione për viktimat.

“Janë qindra familje që kanë humbur gjithçka dhe shumë nga to nuk kishin shumë gjëra nga të cilat do të fillonin. Prandaj dhemb edhe më shumë, por ne do të jemi aty për ta”, shtoi guvernatori.

Lajme të ngjashme