Së paku 15 të vdekur e dhjetë të zhdukur nga vërshimet në Indonezi - NACIONALE

Së paku 15 të vdekur e dhjetë të zhdukur nga vërshimet në Indonezi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ekipet e shpëtimit i kanë gjetur trupat e 15 njerëzve që kanë vdekur nga vërshimet në dy provinca indoneziane, ndërsa autoritetet thonë se dhjetë njerëz të tjerë janë zhdukur.

Shiu i dendur filloi të enjten dhe shkaktoi vërshime e rrëshqitje dheu në provincën Nisa Tenggara Lindore dhe në ishullin Bali, raporton gazeta “The Guardian”.

Punëtorët e shpëtimit të mërkurën i nxorën trupat e një nëne dhe fëmijës së saj të varrosur nën baltë në fshatin e goditur më së rëndi, Mauponggo, dhe një burrë në fshatin fqinj Loka Laba në distriktin Nagekeo, thanë zyrtarët.

Më herët, tre anëtarë të një familjeje u gjetën të vdekur, pasi shtëpia e tyre u vërshua, ndërsa katër njerëz ishin të zhdukur në fshatin Mauponggo.

Në Bali, punëtorët e shpëtimit e nxorën trupin e një gruaje afër tregut Badung në kryeqytetin provincial Denpasar të mërkurën vonë, bëri të ditur zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare për Menaxhimin e Katastrofave, Abdul Muhari. Ai tha se po vazhdonin kërkimet për gjashtë njerëz të zhdukur në provincë.

Tetë trupa u gjetën më herët, përfshirë katër njerëz që ishin në një ndërtesë të marrë me vete nga vërshimet në Denpasarin Jugor, tha udhëheqësi rajonal i Agjencisë së Kërkim-shpëtimit.

Reshjet kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati, duke shkaktuar vërshime në nëntë qytete dhe distrikte në Bali.

Në pamje të publikuara nga Agjencia Kombëtare e Kërkim-shpëtimit shihen vetura të vërshuara në ujëra me baltë dhe ushtarë e punëtorë shpëtimi duke ndihmuar fëmijë e të moshuar, të cilët ishin detyruar që të hipnin në kulmet e shtëpive e ndërtesave të vërshuara.

Lajme të ngjashme