Së paku 14 palestinezë vriten nga sulmet ajrore izraelite në Gaza
Të paktën 14 palestinezë u vranë nga sulmet ushtarake izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës të martën, përfshirë të paktën 10 në një shtëpi në Qytetin Gaza, thanë mjekët, përderisa tanket depërtuan më thellë drejt zonës perëndimore të qytetit Rafah, në jug të enklavës.
Mjekët thanë se sulmi ajror izraelit ndaj shtëpisë në zonën Daraj të Qytetit Gaza e shkatërroi ndërtesën dhe dëmtoi edhe shtëpi të tjera përreth saj. Katër njerëz u vranë në dy sulme të tjera ajrore në këtë qytet dhe në qytezën Beit Lahiya, në pjesën veriore të Rripit të Gazës, shtuan mjekët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite.
Në Rafah, afër kufirit me Egjiptin, tanket izraelite u futën më thellë drejt zonën perëndimore, Mawasi, e njohur si zonë humanitare, thanë banorët.
Zjarri i rëndë nga tanket që lëvizën në zonë detyruan dhjetëra familje që po strehoheshin atje që të zhvendoseshin më në veri, drejt qytetit Khan Younis.
Lufta filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, duke lënë të vrarë rreth 1.200 njerëz në Izrael, shumica civilë, e duke marrë peng mbi 250 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite.
Izraeli më pas nisi ofensiva ajrore e tokësore që kanë lënë të vrarë mbi 45 mijë njerëz, shumica civilë, sipas autoriteteve të udhëhequra nga Hamasi në Rripin e Gazës.
Ofensivat izraelite e kanë shkaktuar zhvendosjen e pothuajse tërë popullsisë së enklavës dhe një pjesë e madhe e saj është shkatërruar./Nacionale