Scholz-i me kipën hebraike në kokë: Ndihem i turpëruar nga incidentet antisemite në Gjermani
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se ndihet i turpëruar dhe i indinjuar nga një valë e re e incidenteve antisemite në vendin e tij, duke paralajmëruar se Berlini nuk do të tolerojë urrejtje të tillë kundër hebrenjve.
Këto komente i bëri gjatë shënimit të 85-vjetorit të masakrimit të hebrenjve nga nazistët më 1938. Ceremonia u mbajt në një sinagogë në Berlin. Kjo ndërtesë ishte në mesin e një mijë objekteve të dëmtuara ose të shkatërruara në Gjermani e Austri nga turmat naziste gjatë “Natës së Xhamit të Thyer” më 1938, raporton agjencia “Reuters”.
Të paktën 91 hebrenj ishin vrarë, rreth 7.500 biznese të hebrenjve ishin plaçkitur dhe rreth 30 mijë burra e djem hebrenj ishin arrestuar gjatë sulmeve që i kishin paraprirë Holokaustit, kur ishin vrarë rreth gjashtë milionë hebrenj.
Sinagoga ku foli kancelari gjerman u sulmua me koktej molotovi gjatë shtimit të incidenteve antisemite pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor dhe sulmeve hakmarrëse izraelite në Gaza.
“Secila formë e antisemitizmit e helmon shoqërinë tonë. Ne nuk do ta tolerojmë atë”- tha Scholz-i, që kishte vendosur në kokë një kipa, shenjë tradicionale hebraike për burrat që shkojnë në Sinagogë.
Incidentet e antisemitizmit janë shtuar në nivel global që nga shpërthimi i luftës Izrael – Hamas.
Një video 10-minutëshe e ministrit të Ekonomisë të Gjermanisë, Robert Habeck, ku shprehu shqetësim për shtimin e antisemitizmit në këtë shtet, u përhap shumë në rrjete sociale javën e kaluar.
Në video, ministri gjerman paralajmëroi se bashkëvendësit e tij do të duhet të përgjigjen në gjykatë për antisemitizmin, ndërsa ata që nuk janë gjermanë e rrezikojnë statusin e banimit.
Të enjten, kancelari Scholz theksoi se rregullat e reja për shtetësinë bëjnë të qartë se kushdo që është antisemit nuk mund ta marrë shtetësinë gjermane.
Ai shtoi se të mësuarit për përgjegjësinë historike të Gjermanisë pas Holokaustit është posaçërisht i rëndësishëm, pasi gjeneratat që e kishin përjetuar vetë atë nuk janë më për t’i ofruar rrëfimet e tyre.
