Scholz-i beson se AfD-ja e së djathtës ekstreme do të tkurret prapë para zgjedhjeve
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, u shpreh optimist të premten se përkrahja për partinë gjermane të së djathtës ekstreme, AfD, që është shtuar së fundi në anketa, do të bjerë në nivelin e mëparshëm përsëri deri në kohën e zgjedhjeve të ardhshme më 2025.
Në zgjedhjet e kaluara, më 2021, partia “Alternativa për Gjermaninë” mori 10,3 për qind të votave, pak më pak se më 2017, kur kishte marrë 12,6 për qind pas krizës evropiane me emigrantë. Sipas anketave të bëra rishtazi, përkrahja për këtë parti është rreth 20 për qind, më e madhe se ajo për partinë e kancelarit Scholz, raporton agjencia “Associated Press”.
“Kam goxha besim se AfD-ja nuk do të performojë shumë ndryshe në zgjedhjet e ardhshme federale se në zgjedhjet e kaluara”- tha kancelari gjerman para gazetarëve në konferencën e tij vjetore verore në Berlin.
Politikani 65-vjeçar tha se strategjia e tij është që të ndjekë politika “që u japin qytetarëve arsye të mjaftueshme për të besuar në të ardhme të mirë”- përfshirë dëshminë se vendi i ka nën kontroll kufijtë e vet dhe mund ta frenojë migrimin e paligjshëm.
Ai u bëri apel partive tradicionale në 16 shtetet gjermane që t’i kenë parasysh pasojat e rivalitetit mes tyre. Në disa prej rajoneve do të mbahen zgjedhje shtetërore këtë vit dhe më 2024 dhe shihen si shenja kyçe për zgjedhjet e ardhshme kombëtare.
Kancelari argumentoi se “partitë demokratike” dhe përkrahësit e tyre përbëjnë një shumicë të gjerë në secilin shtet gjerman dhe se nuk ka pasur “normalizim” të ideologjisë së të djathtës ekstreme në shoqërinë e gjerë.
