“Save the Children”: Rreth 500 fëmijë kanë vdekur nga uria në Sudan nga nisja e luftimeve
Rreth 500 fëmijë kanë vdekur nga uria në Sudan – përfshirë mbi njëzetë foshnja në një jetimore të menaxhuar nga qeveria në kryeqytetin Khartoum – që nga shpërthimi i luftimeve në këtë shtet në prill, tha të martën organizata e njohur për të drejtat e fëmijëve, “Save the Children”.
Kjo organizatë tha se të paktën 31 mijë fëmijëve u mungon qasja në trajtim për kequshqyerje dhe sëmundje të ndërlidhura me të, pasi “Save the Children” ishte detyruar që të mbyllte 57 prej qendrave të saj të ushqyerjes në Sudan, raporton agjencia “Associated Press”.
Sudani rrëshqiti në kaos pas tensioneve mes ushtrisë së rregullt dhe një force paramilitare. Palët kundërshtare i nisën luftimet më 15 prill. Konflikti i ka shndërruar Khartoumin dhe shumë zona të tjera urbane në fusha të betejave. Shumë banorë jetojnë pa ujë ose rrymë dhe sistemi i kujdesit shëndetësor në vend është afër kolapsit.
“Kurrë nuk kishim menduar se do të shihnim fëmijë duke vdekur nga uria me numra të tillë, por ky tani është realiteti në Sudan. Po shohim fëmijë duke vdekur nga uria tërësisht e parandalueshme”- tha Arif Noor, drejtor i organizatës “Save the Children” për Sudan.
Vlerësohet se të paktën katër mijë njerëz janë vrarë nga dhuna në Sudan, sipas Liz Throssell-it, zëdhënëse e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, aktivistët dhe mjekët në terren thonë se ka gjasa që numri i viktimave të jetë shumë më i lartë.
“Save the Children” tha se mes majit dhe korrikut, të paktën 316 fëmijë, kryesisht nën moshën 5-vjeçare, vdiqën nga kequshqyerja ose sëmundjet e ndërlidhura me të në provincën jugore të Nilit të Bardhë. Më shumë se 2 mijë e 400 fëmijë të tjerë janë pranuar në spitale në tetë muajt e fundit me kequshqyerje të rëndë akute – forma më vdekjeprurëse e kequshqyerjes – sipas kësaj organizate.
Në provincën lindore, Qadarif, të paktën 132 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja në spitalin e fëmijëve, që menaxhohet nga qeveria, mes prillit dhe korrikut.
