Pamje e rrëfime tmerri nga masakra e paramilitarëve të Dagalos në Sudan - NACIONALE

Pamje e rrëfime tmerri nga masakra e paramilitarëve të Dagalos në Sudan

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qindra familje ishin grumbulluar në kryeqytetin e Darfurit Perëndimor, El Geneina, më 15 qershor, duke e organizuar largimin e tyre nga ajo që ishte bërë skenë ferri nga ndërtesat e djegura dhe rrugët e mbushura me kufoma. Guvernatori shtetëror porsa ishte ekzekutuar e masakruar nga grupet militante arabe, duke i lënë civilët pa zgjidhje tjetër përpos ikjes.

Ajo që pasoi ishte një masakër e tmerrshme, thanë dëshmitarët. Besohet se ky ishtë njëri ndër incidentet më të dhunshme në historinë e rajonit sudanez të prekur nga gjenocidi. Forcat për Mbështetje të Shpejtë, të udhehequra nga gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, dhe grupet aleatë përndoqën njerëz jo-arabë në pjesë të ndryshme të qytetit dhe në rajonin shkretinor përreth tij, duke lënë qindra të vdekur, përderisa ata po iknin për ta shpëtuar jetën e vet, sipas dëshmive të grumbulluara nga televizioni CNN.

Televizioni amerikan ka analizuar video, fotografi e pamje satelitore si dhe ka grumbulluar 11 rrëfime nga dëshmitarë e të mbijetuar të dhunës në El Geneina, përfshirë disa punëtorë të ndihmave, të cilët i kishin grumbulluar kufomat, dhe një kirurg që i kishte trajtuar të plagosurit në Çad. Përderisa vrasjet vazhdojnë të papenguara në Sudan, me raportime për përshpejtim të dhunës, hulumtimi i televizionit CNN për krimet e kryera brenda një dite të vetme ofron një pamje të nivelit të abuzimeve, që kryesisht janë të fshehura nga publiku i gjerë.

orët e hershme të atij mëngjesi, banorët u nisën masivisht nga pjesa jugore e El Geneina-s, shumë prej tyre në përpjekje për të arritur në selinë qendrore të ushtrisë sudaneze, ku mendonin se mund të gjenin siguri. Megjithatë, ata thanë se u zmbrapsën shpejt nga sulmet e Forcave për Mbështetje të Shpejtë, grup i fuqishëm paramilitar që po lufton kundër ushtrisë së rregullt. Të mbijetuarit thanë se disa persona u ekzekutuan në rrugë. Disa të tjerë vdiqën në një incident masiv të mbytjes në ujë, duke u qëlluar me armë përderisa po mundoheshin që të kalonin matanë një lumi. Shumë prej atyre që ia dolën ta kalonin lumin u sulmuan në pritë afër kufirit me Çadin, të detyruar që të uleshin në rërë para se t’u thuhej që të vraponin drejt vendeve të sigurta, përderisa u shoshitën me plumba.

“Më shumë se një mijë njerëz u vranë më 15 qershor. Unë isha duke mbledhur trupa atë ditë. Mblodha një numër të madh”- tha një punëtor humanitar lokal, i cili kërkoi që të mos i publikohej emri për arsye sigurie. Ai tha se të vdekurit u varrosën në pesë varre masive në qytet dhe përreth tij.

“Datat 15, 16 dhe 17 qershor ishin më të përgjakshmet në Geneina”- tha punëtori humanitar, i cili ishte pjesë e një rrjeti të punëtorëve të ndihmave që grumbullonin trupa në rrugë. “15 qershori ishte më i rëndi nga të gjitha datat”- shtoi ai.

Pa qasje në qytet, ka qenë e pamundshme që televizioni ta vërtetojë në mënyrë të pavarur numrin e saktë të të vrarëve, por dëshmitë e grumbulluesve të trupave, organizatave të ndihmave, mjekëve e të mbijetuarve ofrojnë sinjale.

Dëshmia e zbuluar nga televizioni CNN lë të kuptohet se, prapa një perdeje të fshehtësisë, Forcat për Mbështetje të Shpejtë dhe aleatët e tyre janë duke kryer një fushatë pa dallim të vrasjeve të gjera e dhunës seksuale si diçka që rajoni nuk e ka parë me dekada.

Zëdhënësi zyrtar i Forcave për Mbështetje të Shpejtë i tha televizionit se ky grup kategorikisht i mohon akuzat.

“Të thoshe se ishe Masalit, ishte dënim me vdekje”- tha Jamal Khamissi, avokat i të drejtave të njeriut, duke iu referuar fisit të tij jo-arab, njëri nga më të mëdhenjtë në Darfur. Ai ishte në mesin e atyre për të cilët tha se ikën nga El Geneina për në Çad, duke u mbijetuar një vargu të pozicioneve të Forcave për Mbështetje të Shpejtë dhe aleatëve të tyre përmes fshehjes së përkatësisë etnike.

Ai thotë se arriti që t’i shpëtonte ekzekutimit për shkak se i bindi luftëtarët që i përket grupit etnik Tagoy, gjuhën e të cilit e flet në mënyrë të rrjedhshme.

Ai kujton se si një djalë 8 vjeç ia kishte kapur dorën, pjesë e grupit që ecte drejt kufirit me Çadin, duke u ngutur për t’u larguar nga dhuna.

“Kur arritëm në Shukri, na kapën. Na thanë që të iknim. Na qëlluan dhe e vranë djalin 8-vjeçar. Ai po mundohej që të ikte dhe ata e qëlluan në kokë. 15 qershori ishte njëra nga ditët më të këqija në tërë historinë e Darfurit”- tha avokati.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme