Sanksionet e reja të ShBA-së ndaj naftës ruse për shkak të refuzimit të Putinit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë
Administrata Trump ashpërson qëndrimin ndaj Kremlinit një ditë pasi anuloi një samit të planifikuar me liderin rus, shkruan The Guardian.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Rosneft dhe Lukoil, dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, ndërsa administrata Trump po shton presionin ndaj Kremlinit për të negociuar një fund të luftës kundër Ukrainës.
Këto janë sanksionet e para ndaj Rusisë që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar, dhe synojnë të ndërpresin të ardhurat kryesore nga shitjet e naftës që financojnë makinerinë luftarake ruse.
Ky hap përbën një tjetër ndryshim të politikës së administratës Trump — nga përpjekjet për ta detyruar Kievin të pranojë paqen, drejt frustrimit në rritje me kërkesat maksimale të Vladimir Putinit.
“Tani është koha të ndalet vrasja dhe të vendoset një armëpushim i menjëhershëm,” tha sekretari i thesarit, Scott Bessent, në një deklaratë ku njoftoi sanksionet kundër Rusisë. “Duke qenë se Presidenti Putin refuzon t’i japë fund kësaj lufte të pakuptimtë, Thesari po vendos sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës që financojnë makinerinë e Kremlinit. Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim hapa të tjerë, nëse është e nevojshme, për të mbështetur përpjekjet e Presidentit Trump për t’i dhënë fund edhe një tjetër lufte. Ne inkurajojmë aleatët tanë të bashkohen me ne dhe t’i zbatojnë këto sanksione.”
Qeveria britanike vendosi sanksione ndaj Rosneft dhe Lukoil javën e kaluar. Bashkimi Evropian ka sanksionuar Rosneft-in, që është kompani shtetërore, por jo Lukoil-in, e cila është private — kryesisht për shkak të përjashtimeve për Hungarinë dhe Sllovakinë, që blejnë ende naftë ruse.
Trump, gjatë një takimi në Zyrën Ovale me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi gjithashtu se kishte anuluar një samit të planifikuar me Putinin — një tjetër shenjë e prishjes së negociatave midis Uashingtonit dhe Moskës.
“Ne e anuluam takimin me Presidentin Putin,” tha Trump. “Nuk më dukej e drejtë. Nuk ndjeja se do të arrinim aty ku duhet, prandaj e anulova. Por do ta zhvillojmë në të ardhmen.”
Një raport i Wall Street Journal të mërkurën tha se administrata kishte hequr kufizimet mbi përdorimin nga Ukraina të raketave britanike Storm Shadow, duke lejuar që ato të përdoren për sulme brenda territorit rus — pavarësisht shqetësimeve në Uashington për përshkallëzim të tensioneve me Kremlinin.
Por Trump e mohoi këtë në rrjetet sociale:
“Artikulli i Ëall Street Journal për miratimin e SHBA që Ukraina të përdorë raketa me rreze të gjatë brenda Rusisë është LAJM I RREMË! SHBA nuk ka asnjë lidhje me ato raketa, nga vijnë ato apo çfarë bën Ukraina me to,” shkroi ai.
Sanksionet e së mërkurës ishin përpjekja më e fundit dhe më e drejtpërdrejtë për të ndërprerë të ardhurat nga shitjet ndërkombëtare të naftës ruse. Më parë, Trump kishte vendosur një tarifë 25% mbi mallrat nga India si “hakmarrje” për blerjen e naftës ruse me zbritje.
“Rosneft ishte kompania më e rëndësishme ruse që ende nuk ishte nën sanksione të plota amerikane,” shkroi Edward Fishman, ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit për sanksionet.
Ai shtoi se mbetet për t’u parë nëse SHBA do të kërcënojë tregtarët, bankat dhe rafineritë e huaja që vazhdojnë të ndihmojnë shitjet e naftës ruse.
“Pres, të paktën, një tërheqje të përkohshme nga marrëveshjet me naftën ruse,” shkroi Fishman. “Nëse kjo shënon një goditje strategjike afatgjatë ndaj të ardhurave nga nafta — që janë gjaku ekonomik i Putinit — do të varet nga angazhimi i SHBA për zbatim të vazhdueshëm dhe aktiv.”
Njoftimi u pa si një fitore për Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë, të cilët ishin shqetësuar nga idetë e Trump se paqja mund të arrihej vetëm nëse Ukraina pranon të heqë dorë nga territore dhe të kufizojë lidhjet me Evropën dhe SHBA.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se kishte folur me Bessent pak para njoftimit dhe e përshëndeti vendimin:
“Me miratimin e afërt të paketës së 19-të të sanksioneve të BE-së, ky është një sinjal i qartë nga të dy anët e Atlantikut se do të vazhdojmë presionin e përbashkët ndaj agresorit,” shkroi ajo.
BE-ja pritet të prezantojë ndalimin e importeve të gazit natyror të lëngshëm rus, të ndalojë anijet
që janë pjesë e “flotës hije” të naftës së Rusisë, të ndalojë marrëveshjet financiare me Rosneft-in dhe Gazprom Neft-in, dhe të sanksionojë disa banka dhe entitete ruse që ndihmojnë shmangien e sanksioneve ekzistuese.
Gjithashtu, pritet që sanksionet të kufizojnë lëvizjen e diplomatëve rusë brenda zonës Shengen pa viza.