Rusia u premton bonuse ushtarëve që shkatërrojnë tanke “Leopard” dhe automjete amerikane
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të premten se do të ketë pagesë shtesë për ushtarët rusë që shkatërrojnë tanke gjermane “Leopard” dhe automjete të blinduara të dhuruara nga ShBA-ja në Ukrainë.
Kjo ministri tha se pagesat shtesë janë pjesë e një skeme më të gjerë shpërblimesh, sipas së cilës janë shpërblyer mbi 10 mijë trupa ruse që nga fillimi i luftës para gati 16 muajve, raporton gazeta “The Guardian”.
Duke u bazuar në raportet nga komandantët rusë në terren, “pagesat janë tash për tash duke u bërë për trupat e forcave të armatosura të Federatës Ruse, të cilët, në rrjedhën e operacioneve ushtarake, shkatërruan tanke “Leopard” si dhe automjete të blinduara luftarake të prodhuara në ShBA dhe në vende të tjera të NATO-s”, citohet të ketë thënë ministria ruse.
Sipas kësaj ministrie, deri më 31 maj, gjithsej 10 mijë e 257 trupa janë shpërblyer për shkatërrimin e 16 mijë e një objekteve nga pajisjet e ushtrive ukrainase e perëndimore. Këto pretendime nuk janë vërtetuar në mënyrë të pavarur.
Në njoftim thuhet se ushtarët do të paguhen nga 50 mijë rubla (596 dollarë) për shkatërrimin e një automjeti të blinduar të armikut, ndërsa nga 100 mijë rubla (1.192 dollarë) për shkatërrimin e një tanku.
