Rusia u jep ultimatum të ri ushtarëve ukrainas në Mariupol
Rusia u dha një ultimatum të ri ushtarëve ukrainas në Mariupol që të dorëzohen të mërkurën, ndërsa po i vazhdon përpjekjet për një fitore vendimtare në ofensivën e saj në lindje të Ukrainës.
Rusia, me javë, është përpjekur që ta marrë kontrollin e plotë në qytetin e rrethuar. Kapja e tij do të ishte fitore e madhe strategjike, duke e lidhur territorin e mbajtur nga separatistët pro-ruë në lindje me Gadishullin e Krimesë, që Rusia e kishte aneksuar më 2014.
Megjithatë, asnjë ushtar ukrainas nuk është dorëzuar pas një ultimatumi të mëhershëm. Kështu, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë vendosi një afat të ri që ukrainasit të dorëzohen.
Komandantët ukrainas janë zotuar që të mos dorëzohen dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha të mërkurën në mëngjes se luftimet në fabrikën e rrethuar janë duke vazhduar, ndërsa forcat ruse kanë bërë përpjekje për një ofensivë edhe afër qytetit verilindor, Kharkiv.
Inteligjenca ushtarake britanike tha se luftimet në rajonin e Donbasit janë duke u intensifikuar, pasi ushtria ruse po mundohet që t’i thyejë linjat ukrainase dhe ta pengojë përforcimin e tyre.
Shtëpia e Bardhë tha se janë duke u përgatitur sanksione të reja dhe pritet që Presidenti Joe Biden të njoftojë një pako të re të ndihmave ushtarake të madhësisë së përafërt me pakon prej 800 milionë dollarësh të javës së kaluar, i thanë burimet agjencisë “Reuters”.
Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Britania e Madhe thanë se do t’i dërgojnë Ukrainës më shumë artileri, ndërsa Norvegjia tha se ka dërguar në këtë shtet 100 raketa për mbrojtje ajrore.