Rusia thotë se Ukraina e ka sulmuar urën “Chonhar” që çon në Krime - NACIONALE

Rusia thotë se Ukraina e ka sulmuar urën “Chonhar” që çon në Krime

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët rusë kanë thënë se forcat ukrainase kanë sulmuar një urë që e lidh pjesën jugore të Ukrainës me Gadishullin e Krimesë me raketa britanike me rreze të gjatë veprimi.

Dy urat paralele “Chonhar” u dëmtuan, por askush nuk u lëndua, tha guvernatori i emëruar nga Rusia në Khersonin e pushtuar, Vladimir Saldo, raporton televizioni BBC.

Ai tha se ka gjasë që raketat britanike të tipit “Storm Shadow” janë përdorur në këtë sulm, sipas tij, “të urdhëruar nga Londra”.

Ura e sulmuar është rruga më e shkurtër nga Krimea për në vijën e frontit në jug të Ukrainës. Ajo është lidhje e rëndësishme edhe për qytetin e pushtuar të Melitopolit, i cili shtrihet në rrugën bregdetare nga kufiri rus, nëpër pjesën jugore të Ukrainës për në Krime.

Në fotografitë e publikuar nga Saldo shihet një gropë në njërën prej dy urave, por ai tha se riparimi do të bëhet shpejt dhe se automjetet do të drejtohen në një rrugë alternative përkohësisht.

Rusia e shfrytëzon këtë rrugë si urë tokësore për në Krime dhe besohet se Melitopoli është njëri ndër caqet e kundërsulmit ukrainas, i cili filloi në Zaporizhia këtë muaj.

Forcat ruse kanë vazhduar që t’i sulmojnë qytetet ukrainase, përfshirë zonën e banimit të vendlindjes së presidentit Volodymyr Zelensky, Kryvyih Rih, dhe qytetin bregdetar, Odesa.

Zelensky tha të enjten se shërbimet e inteligjencës kishin marrë informata se Rusia ishte duke përgatitur “një skenarë të sulmit terrorist” ndaj centralit bërthamor në Zaporizhia, të cilin e mori nën kontroll vitin e kaluar.

Ky është centrali më i madh bërthamor në Evropë dhe Zelensky paralajmëroi se “rrezatimi nuk ka kufij shtetërorë”. Kremlini e mohoi menjëherë pretendimin e presidentit ukrainas, duke e quajtur “një gënjeshtër tjetër”.

Lajme të ngjashme