Rusia thotë se sulmi natën e Vitit të Ri ndodhi për shkak të përdorimit të telefonave nga ushtarët
Rusia ka thënë se sulmi me raketa i forcave ukrainase në natën e Vitit të Ri, nga i cili u vranë të paktën 89 ushtarë rusë, ndodhi për shkak se trupat ishin duke i përdorur telefonat e tyre.
Zyrtarët thanë se përdorimi i telefonave të ndaluar ia mundësoi armikut që ta gjente vendin e cakut të tij. Hetimet tashmë kanë filluar, shkruan BBC, përcjell “Nacionale”.
Ukraina thotë se 400 ushtarë janë vrarë dhe 300 të tjerë janë plagosur nga sulmi që ndodhi në një objekt ku ishin strehuar rekrutët në Makivka të rajonit të pushtuar të Donetskut.
Rusia tha se në orën 00:01 të 1 janarit, gjashtë raketa u hodhën nga sistemi raketor amerikan, HIMARS, drejt objektit ku ndodheshin ushtarët dhe dy prej tyre u penguan.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha përmes një deklarate të mërkurën se në mesin e të vrarëve është edhe komandanti i regjimentit, Bachurin. Në deklaratë thuhet se një komision është duke i hetuar rrethanat e incidentit.
“Por “tashmë është e qartë” se shkaktari kryesor i sulmit ishte prania e “përdorimit masiv” të telefonave mobilë nga trupat që ishin brenda rrezes së armëve ukrainase, pavarësisht se ata janë të ndaluar, thuhet më tej në deklaratë.
“Ky faktor i lejoi armikut që ta gjente vendin dhe t’i përcaktonte koordinatat e personelit ushtarak për një sulm me raketa”- tha ministria ruse.
Në deklaratë thuhet se zyrtarët që gjenden fajtorë në hetim do të sillen para drejtësisë dhe se do të ndërmerren hapa për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.
Rusia fillimisht ka thënë se nga ky sulm janë vrarë 63 ushtarë, por e plotësoi këtë numër, duke e bërë 89, edhe pse nuk ka mënyrë për të vërtetuar saktë se sa trupa janë vrarë. Është gjë shumë e rrallë që Moska t’i pranojë pasojat në njerëz nga luftimet.

