Rusia thotë se sulmi afër Moskës e ka rritur numrin e rekrutëve në ushtri
Rusia ka shënuar rritje domethënëse të numrit të personave që kanë nënshkruar kontrata për t’iu bashkuar forcave të armatosura pas sulmit vdekjeprurës të muajit të kaluar në një sallë koncertesh afër Moskës, tha të mërkurën Ministria e Mbrojtjes.
Përmes një deklarate, kjo ministri tha se më shumë se 100 mijë persona kanë nënshkruar kontrata me ushtrinë nga fillimi i vitit, përfshirë rreth 16 mijë vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, raporton agjencia “Reuters”.
“Gjatë intervistave të kryera gjatë javës së kaluar në pikat e përzgjedhjes në qytete ruse, shumica e kandidatëve e treguan dëshirën për të marrë hak për ata që u vranë në tragjedinë që ndodhi më 22 mars 2024 në rajonin e Moskës si motiv kryesor për nënshkrimin e kontratës” – thuhet më tej.
Të paktën 144 persona u vranë nga të shtënat masive dhe nga zjarri në sallën e koncerteve “Crocus”. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ISIS-i.
Megjithatë, Rusia ka thënë se sulmuesit ishin të lidhur me Ukrainën. Kievi e ka mohuar këtë akuzë që edhe ShBA-ja e ka cilësuar absurde.
Rusia po mbështetet në një rrjedhje të qëndrueshme të rekrutëve të rinj në forca të armatosura për ta vazhduar luftën në Ukrainë, që tashmë ka hyrë në vitin e tretë.
Në shtator të vitit 2022, presidenti rus, Vladimir Putin, kishte lëshuar një urdhër për rekrutimin e 300 mijë burrave, por ka thënë se nuk ka nevojë për mobilizim të detyrueshëm të ri, sepse ka shifra të forta të atyre që po nënshkruajnë kontrata në mënyrë vullnetare.
Në posterë nëpër qytete ruse lartësohen si patriotë e heronj ushtarët që luftojnë në Ukrainë dhe shumë prej atyre që po i bashkohen ushtrisë tërhiqen nga pagat shumë më të larta se ato që mund t’i fitojnë si civilë.
Rusia, që e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, gjatë dy muajve të kaluar ka shënuar përparim të ngadalshëm në terren, pasi një kundërsulm ukrainas vitin e kaluar dështoi që të sillte fitore domethënëse.
Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, tha muajin e kaluar se vendi i tij do ta fuqizonte ushtrinë duke themeluar dy ushtri të reja dhe 30 formacione të reja deri në fund të këtij viti.