Rusia thotë se ShBA-ja po i ringjall piratërinë e banditizmin me bllokadën ndaj Venezuelës
Ministria e Jashtme e Rusisë tha të enjten se Shtetet e Bashkuara po e ringjallin piratërinë dhe banditizmin në Detin e Karaibeve duke e bllokuar Venezuelën dhe shtoi se shpreson që pragmatizmi i presidentit amerikan, Donald Trump, do të ndihmojë në shmangien e një katastrofe.
“Sot jemi dëshmitarë të paligjshmërisë së plotë në Detin e Karaibeve, ku vjedhja e harruar shumë kohë më parë e pronave të njerëzve, më saktësisht piratëria, dhe banditizmi, po ringjallen” – tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne vazhdimisht avokojmë për depërshkallëzim. Ne shpresojmë se pragmatizmi dhe racionaliteti i presidentit amerikan Trump do të lejojë që të gjenden zgjidhje që janë të pranueshme në mënyrë reciproke për palët brenda kornizës së normale ligjore ndërkombëtare” – shtoi ajo.
“Ne e konfirmojmë përkrahjen tonë ndaj përpjekjeve të qeverisë së Nicolas Maduros me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit dhe interesave kombëtare si dhe ruajtjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të sigurt të vendit të tij” – tha më tej zëdhënësja ruse.
Zakharova foli edhe për një temë tjetër. Ajo tha se Rusia sheh progres të ngadalshëm por të vazhdueshëm në bisedimet e paqes me Shtetet e Bashkuara rreth Ukrainës.
“Në procesin negociues për një zgjidhje rreth konfliktit të Ukrainës, dua të them në procesin negociues me Shtetet e Bashkuara, ka progres të ngadalshëm por të vazhdueshëm” – deklaroi ajo.