Rusia thotë se ShBA-ja është përgjegjëse për sulmin vdekjeprurës ukrainas në Krime
Rusia tha të dielën se Shtetet e Bashkuara ishin përgjegjëse për një sulm ukrainas ndaj gadishullit të aneksuar të Krimesë me pesë raketa të ofruara nga ShBA-ja që vranë katër persona, përfshirë dy fëmijë, dhe lënduan 151 të tjerë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se katër raketa të sistemit të dhuruar nga Shtetet e Bashkuara, ATACMS, të pajisura me koka me municion thërrmues, u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa municioni i një rakete tjetër u aktivizua në ajër, raporton agjencia “Reuters”.
Në pamje të transmetuara në televizionin shtetëror rus u shfaqën njerëz duke ikur me vrap nga një plazh dhe disa persona duke u bartur në shezlongje.
Autoritetet e emëruara nga Rusia në Krime thanë se copëza të raketave kishin rënë pak pas mesditës afër një plazhi në anën veriore të qytetit Sevastopol, ku banorët lokalë po i kalonin pushimet.
Ministria e Mbrojtjes tha se specialistët amerikanë i kishin vendosur koordinatat e fluturimit të raketave mbi bazën e të dhënave nga satelitët spiunë të ShBA-së, që do të thotë se Uashingtoni ishte drejtpërdrejt përgjegjës.
“Përgjegjësia për sulmin e qëllimshëm me raketa ndaj civilëve të Sevastopolit bartet tërësisht nga Uashingtoni, i cili e furnizoi Ukrainën me këto armë, dhe nga regjimi i Kievit, nga territori i të cilit u krye ky sulm” – tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Shtetet e Bashkuara filluan më herët këtë vit që ta furnizonin Ukrainën me raketa me rreze të gjatë të sistemit ATACMS më herët këtë vit. Këto raketa kanë rreze prej 300 kilometrash.