Rusia thotë se rrëzoi shtatë dronë të vet të nisur drejt Ukrainës pas telefonatës Trump - Putin
Kremlini tha të mërkurën se Rusia i kishte pezulluar sulmet e saj ndaj infrastrukturës ukrainase të energjisë pas një telefonate mes presidentëve Donald Trump e Vladimir Putin dhe se kishte rrëzuar shtatë dronë të vet që i kishte nisur drejt Ukrainës gjatë kohës që ata ishin në ajër.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha para gazetarëve se Rusia kishte anuluar një sulm me dronë ndaj caqeve të infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe se kishte rrëzuar shtatë dronë të vet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ata porsa po renditeshin në radhë luftimesh, gjashtë prej tyre u rrëzuan nga sistemi Pantsir dhe një tjetër nga një aeroplan ushtarak rus” – tha Peskovi.
Ai e akuzoi Ukrainën për mosrespektim të moratoriumit 30-ditor për të mos e sulmuar infrastrukturën energjetike të njëra-tjetrës dhe tha se Kievi ishte munduar që ta sulmonte infrastrukturën energjetike ruse gjatë natës.
“Fatkeqësisht, deri më tani shohim se nuk ka pasur reciprocitet sa i përket anës së Kievit. Ka pasur përpjekje për të sulmuar drejt objekteve tona të infrastrukturës energjetike” – tha zëdhënësi i Kremlinit.
“Ne po shikojmë për së afërmi për të parë nëse Kievi do ta mbajë parasysh zotimin e vendosur të presidentëve të Rusisë e ShBA-së për të bërë gjithçka që është e mundshme për të lëvizur drejt një zgjidhjeje paqësore” – shtoi Peskovi.
Ushtria ruse më herët të mërkurën e akuzoi Ukrainën se po mundohet ta sabotojë moratoriumin e përkohshëm rreth mossulmimit të infrastrukturës energjetike me një sulm të qëllimshëm me dron ndaj një depoje të naftës në jug të Rusisë.
Kur u pyet nëse Rusia do ta mbajë premtimin për pezullimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, Peskovi u përgjigj pozitivisht. “Presidenti nuk ka dhënë ndonjë urdhër tjetër (ndryshe nga ky)” – tha zëdhënësi rus./Nacionale