Rusia thotë se rreziku i konfliktit bërthamor është në nivelin më të lartë në dekada - NACIONALE

Rusia thotë se rreziku i konfliktit bërthamor është në nivelin më të lartë në dekada

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov, ka thënë të mërkurën se rreziku i një përplasjeje bërthamore ishte në nivelin më të lartë në dekada, duke paralajmëruar edhe se Moska ishte në një konflikt të hapur “de-fakto” me Uashingtonin për luftën në Ukrainë.

Dihet se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të tensionuara prej kohësh, janë përkeqësuar edhe më tej që nga pushtimi rus i Ukrainës vitin e kaluar, me Moskën e cila po ashtu është tërhequr së fundmi edhe nga traktati me Uashingtonin, New Start për reduktimin e armëve bërthamore.

Ndërkohë, duke folur në një ngjarje të titulluar "Një botë pa START: Çfarë vjen më pas", Ryabkov është shprehur se "nuk kishte asnjë dyshim" që Rusia do të rikthehej në traktat tani për tani, duke kritikuar atë që ai e quajti "kurs armiqësor" i Uashingtonit ndaj Moskës.

"Nuk do të doja të zhytesha në një diskutim nëse gjasat për një konflikt bërthamor janë të larta sot, por rreziku është më i lartë se çdo gjë që kemi pasur gjatë dekadave të fundit, le ta themi kështu," – është cituar Ryabkov nga agjencia e lajmeve Interfax.

Ndër të tjera, Ryabkov ka thënë se Rusia ishte e përkushtuar për ta mbajtur botën "të sigurt dhe të lirë" nga kërcënimi i luftës bërthamore, por më vonë ka shtuar se kjo gjë nuk mund të vazhdonte si zakonisht, duke pasur parasysh se Moska tani ishte "në një gjendje de facto konflikti të hapur me Shtetet e Bashkuara".

Kujtojmë se edhe një vit pas pushtimit të Ukrainës, Kremlini ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Uashingtonin se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt duke e furnizuar me armë Kievin.

Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Rusia – deri tani fuqitë bërthamore më të mëdha në botë – kanë thënë se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet kurrë dhe nuk duhet të luftohet, por konflikti në Ukrainë ka ngritur frikën e një konfrontimi të drejtpërdrejtë rus me Perëndimin.

Lajme të ngjashme