Kryediplomati austriak thotë se Rusia do të mbetet e rëndësishme për Evropën - NACIONALE

Kryediplomati austriak thotë se Rusia do të mbetet e rëndësishme për Evropën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, ka thënë se Rusia do të mbetet gjithmonë e rëndësishme për Evropën dhe se të menduarit ndryshe është iluzion.

Kryediplomati austriak e mbrojti bankën e dytë më të madhe në vend, “Raiffeisen Bank International”, duke thënë se ka qenë i paarsyeshëm veçimi i saj për zhvillim të biznesit në Rusi, përderisa shumë kompani të tjera perëndimore ishin duke e bërë të njëjtën gjë, raporton agjencia “Reuters”.

“Të mendosh se nuk do të ketë Rusi më dhe se ne mund të ndahemi në të gjitha fushat, është iluzion”- tha Schallenberg-u, duke shtuar se Austria do t’i dobësojë marrëdhëniet me Rusinë, por se “kjo nuk mund të ndodhë brenda një nate”.

“Dostoyevsky dhe Tchaikovsky mbeten pjesë e kulturës evropiane, na pëlqeu apo jo. Ajo (Rusia) do të vazhdojë që të jetë fqinja më e madhe. Do të qëndrojë fuqia e dytë më e madhe bërthamore në botë”- tha ministri austriak.

Austria, e cila e ka paraqitur veten si urë mes lindjes e perëndimit, duke e shndërruar kryeqytetin Vjenë në magnet për paratë ruse, është edhe pjesë e aleancës perëndimore që i ka vënë sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë.

Shteti evropian ende importon gaz nga Rusia, edhe pse po synon që ta pakësojë sasinë e tij në vitet e ardhshme.

Megjithatë, disa zyrtarë austriakë po shpresojnë për përfundim të shpejtë të luftës dhe kthim te marrëdhëniet më normale me Rusinë, sipas disa personave të afër me këtë çështje.

Schallenberg-u i bëri këto komente pas fillimit të një hetimi nga autoriteti amerikan i sanksioneve ndaj bankës “Raiffeisen Bank International” për biznesin e saj të lidhur me Rusinë.

“Të bëhemi realistë, 91 për qind e kompanive perëndimore janë ende në Rusi dhe janë duke e bërë atë që është e mençur: duke pritur, duke frenuar, duke ngritur rrethoja. Ka banka të mjaftueshme amerikane, njëra me emrin Banka e Amerikës, të pranishme në Rusi”- shtoi ai.

Një zëdhënës i Bankës së Amerikës tha: “Aktivitetet tona janë të përqendruara në përputhje me të gjitha sanksionet.”

Kryediplomati austriak tha se e favorizon zbatimin e sanksioneve ekzistuese evropiane para ndërmarrjes së masave të mëtejshme.

“Është një armë shumë e topitur. Kemi pasur pako masive të sanksioneve. Jepuni kohë që të funksionojnë”- tha ai.

Lajme të ngjashme