Rusia thotë se një ushtar është shpërblyer me 1 milion rubla për shkatërrimin e një tanku “Leopard” - NACIONALE

Rusia thotë se një ushtar është shpërblyer me 1 milion rubla për shkatërrimin e një tanku “Leopard”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ushtar rus, i cili ka shkatërruar një tank “Leopard” të prodhimit gjerman gjatë një beteje në Ukrainë, është shpërblyer me 1 milion rubla (11.842 dollarë) nga një fondacion privat, tha të martën Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Ministria publikoi një video në të cilën shihet ushtari Andrei Kravtsov, ulur në një shtrat spitali, duke e pranuar certifikatën e shpërblimit nga Alexander Karelini, kamion i trefishtë olimpik i mundjes greko-romake, raporton agjencia “Reuters”.

Kjo ministri nuk tregoi se kur ose ku e kishte shkatërruar tankun ky ushtar ose për çka po trajtohej në spital. Në video, duket se atij i mungonte dora e djathtë.

Rusia thotë se forcat e saj kanë shkatërruar një numër të tankeve gjermane “Leopard” dhe të automjeteve luftarake amerikane “Bradley” që nga fillimi i kundërsulmit të forcave ukrainase më herët këtë muaj. Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë numrat e automjeteve të shkatërruara.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha javën e kaluar se u kishte paguar bonuse individuale mbi 10 mijë ushtarëve rusë që nga fillimi i luftës në Ukrainë për shkatërrimin ose kapjen e pajisjeve ukrainase ose të atyre që janë dhuruar nga Perëndimi. Sipas kësaj ministrie, shpërblimi për një tank të shkatërruar është 100 mijë rubla, ndërsa për një aeroplan 300 mijë rubla.

Duke ia dorëzuar certifikatën për shpërblimin privat, Karelini i tha ushtarit rus: “Këto janë pagesa shtesë të mrekullueshme për ata që i shkaktojnë dëm të konsiderueshëm armikut, mbi atë që shteti është duke e bërë.”

Shpërblimi u dha nga një fond i themeluar nga një grup privat i ndërmarrësve, një shembull se si disa biznese ruse po kërkojnë mënyra për ta paraqitur publikisht besnikërinë e tyre ndaj fushatës ushtarake të Kremlinit në Ukrainë.

Lajme të ngjashme