Rusia thotë se i takon ekipit të Trumpit që ta bëjë lëvizjen e parë për t’i ndrequr raportet
Rusia është e gatshme për të punuar me administratën amerikane në ardhje të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për t’i përmirësuar marrëdhëniet, nëse ShBA-ja ka synime serioze për ta arritur këtë, por i përket Uashingtonit që ta bëjë lëvizjen e parë, tha të enjten ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
“Nëse sinjalet që po vijnë nga ekipi i ri në Uashington për ta rikthyer dialogun që Uashingtoni e pengoi pas fillimit të operacionit special ushtarak (luftës në Ukrainë) janë serioze, natyrisht, ne do t’u përgjigjemi atyre” – tha kryediplomati rus para gazetarëve në Moskë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Por amerikanët e thyen dialogun, prandaj ata duhet ta bëjnë lëvizjen e parë” – shtoi Lavrovi, që e mban pozitën e ministrit të Jashtëm për më shumë se 20 vjet.
Agjencia “Reuters” raportoi muajin e kaluar se Putini është i hapur për të diskutuar një armëpushim në Ukrainë me Trumpin, por përjashton çfarëdo koncesioni të madh territorial dhe këmbëngul që Kievi të heqë dorë nga ambiciet për t’u anëtarësuar në NATO. Rusia ka nën kontroll rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës.
Lavrovi tha se Rusia nuk e sheh qëllimin e një armëpushimi të dobët për ngrirjen e luftës, por Moska dëshiron një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që do ta garantonte sigurinë e Rusisë dhe të fqinjëve të saj.
“Armëpushimi është rrugë për askund. Na duhen marrëveshje ligjore përfundimtare që do t’i rregullojnë të gjitha kushtet për garantimin e sigurisë së Federatës Ruse dhe, natyrisht, interesat legjitime të sigurisë të fqinjëve tanë” – shtoi ai.
Sipas tij, Rusia dëshiron që dokumentet ligjore të hartohen në atë mënyrë që e garantojnë “pamundësinë e shkeljes së këtyre marrëveshjeve”.