Rusia thotë se është e hapur për bisedime me Ukrainën edhe me Zelenskyn në pushtet - NACIONALE

Rusia thotë se është e hapur për bisedime me Ukrainën edhe me Zelenskyn në pushtet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kremlini sinjalizoi të enjten se është i hapur për bisedime me Ukrainën për përfundimin e konfliktit gjatë kohës që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbetet në pushtet, edhe pse publikisht më parë e ka vënë në dyshim legjitimitetin e mbajtjes së pozitës.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha të mërkurën gjatë një vizite në Kinë se Kievi është i përgatitur për bisedime me Rusinë, me kusht që sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës të respektohen plotësisht, edhe pse shtoi se Ukraina nuk ka parë shenja për një gjë të tillë, raporton agjencia “Reuters”.

Kremlini, edhe pse e ka sinjalizuar gatishmërinë për bisedime sipas kushteve të tij, publikisht e ka vënë në dyshim mandatin e Zelenskyt për ta drejtuar Ukrainën, duke ia përmendur skadimin e mandatit 5-vjeçar në maj dhe duke thënë se ai duhet t’i shpallë zgjedhjet.

Kur u pyet të enjten nëse Rusia do të ishte e gatshme për të zhvilluar bisedime me Ukrainën gjatë kohës që Zelensky është në pushtet, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gazetarëve iu tha: “Rusia është përgjithësisht e hapur për një proces negociues, por së pari ne duhet të kuptojmë se sa e gatshme është pala ukrainase për këtë dhe sa shumë pala ukrainase ka leje për këtë nga manovruesit e saj.”

Moska e përshkruan Zelenskyn si kukull të Shteteve të Bashkuara, cilësim që ai e hedh poshtë.

“Sepse deri më tani shihni shumë deklarata të ndryshme që po bëhen dhe nuk është ende goxha e qartë. Përveç kësaj, përpos problemit me legjitimitetin e Zelenskyt, është një problem tjetër me ndalimin ligjor [nga Ukraina] për të pasur çfarëdo kontakti dhe negociate me palën ruse. Prandaj, ka ende shumë për t’u qartësuar dhe qartësime për t’u dëgjuar” – shtoi Peskovi.

I shtyrë gjatë një konference për të treguar nëse Kremlini do të mund të imagjinonte bisedime me Zelenskyn ose nëse përjashtonte kategorikisht një mundësi të tillë, zëdhënësi i Kremlinit tha: “Pyetja nuk është e lehtë. Nga këndvështrimi ligjor, ky problem [i legjitimitetit] është në agjendë, por nga këndvështrimi praktik, ne jemi të hapur për arritjen e qëllimeve tona përmes bisedimeve. Prandaj, opsione të ndryshme janë të mundshme këtu.”

Agjencia “Reuters” raportoi në maj se Putini ishte i gatshëm për ta ndalur luftën në Ukrainë me një armëpushim të negociuar, por presidenti rus ishte i përgatitur për ta vazhduar luftën, nëse Kievi dhe Perëndimi nuk do t’i përgjigjeshin.

Lajme të ngjashme