Rusia thotë se e ka dërguar në Bjellorusi sistemin “Iskander” që mund të bartë raketa bërthamore
Rusia tha të martën se ia ka dorëzuar Bjellorusisë sistemin raketor “Iskander”, për të cilin tha se mund të hedhë edhe raketa konvencionale, edhe raketa bërthamore.
“Sistemi raketor operacional taktik, Iskander M, u është dorëzuar Forcave të Armatosura të Bjellorusisë. Ai e ka aftësinë për hedhjen e raketave konvencionale dhe bërthamore”- tha ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergey Shoygu, në një video-lidhje me udhëheqësinë e forcave të armatosura të këtij shteti.
Ai shtoi se trajnimi i personelit bjellorus për përdorimin e sistemit “Iskander” në njërën prej qendrave ushtarake ruse të trajnimeve filloi të hënën, raporton agjencia “Anadolu”.
Ministri rus tha, gjithashtu, se disa prej aeroplanëve ushtarakë të Bjellorusisë e kanë fituar aftësinë për t’i sulmuar caqet e armikut me raketa bërthamore.
Shoigu tha më tej se NATO-ja është duke e ngritur gatishmërinë luftarake dhe duke i shpeshtuar aktivitetet afër kufijve të Rusisë dhe Bjellorusisë.
Sipas tij, anëtarësimi i Finlandës në NATO e ka potencialin për ta eskaluar luftën në Ukrainë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi të shtunën e kaluar se Rusia do ta kompletojë ndërtimin e një objekti të posaçëm për ruajtjen e armëve bërthamore në Bjellorusinë fqinje, duke nxitur kritika të ashpra të komunitetit ndërkombëtar.
Ministria e Jashtme e Bjellorusisë tha të martën e kaluar se nuk është duke shkelur asnjë marrëveshje ndërkombëtare kundër pasurimit bërthamor përmes mbajtjes së armëve bërthamore ruse në territorin e saj, duke argumentuar se kjo masë është shtyrë nga presioni i gjatë me vite nga Perëndimi.

