Rusia pritet ta rrisë buxhetin e mbrojtjes për 25 për qind - në nivel rekord
Rusia do t’i rrisë shpenzimet në fushën e mbrojtjes për 25 për qind, duke i çuar në nivel rekord, përderisa presidenti Vladimir Putin zotohet që ta vazhdojë luftën në Ukrainë dhe ta eskalojë përplasjen me Perëndimin.
Sipas rritjes së planifikuar të shpenzimeve, buxheti i mbrojtjes do të shkojë në shumën rekorde prej 13,5 trilionë rublash (131 miliardë euro) më 2025, sipas dokumenteve të projekt-buxhetit, të publikuara të hënën në uebfaqen e Kuvendit. Kjo shumë është për rreth tre trilionë rubla më e lartë se buxheti i mbrojtjes për këtë vit, që gjithashtu ishte rekord deri më tani, raporton gazeta “The Guardian”.
Marrë së bashku, shpenzimet në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë do të përbëjnë rreth 40 për qind të shpenzimeve të përgjithshme qeveritare të Rusisë, ose 41,5 trilionë rubla më 2025.
Buxheti i vitit 2025 lë të kuptohet se Putini e ka përqafuar atë që ekonomistët e kanë quajtur “kejnezianizëm ushtarak”, që dallohet me rritje të konsiderueshme të shpenzimeve ushtarake, që i ka fryrë luftës në Ukrainë, ka nxitur shtim të shpenzimeve konsumuese dhe e ka ngritur inflacionin.
“Kjo rritje është konfirmim që ekonomia ka hyrë në modelin e luftës dhe, edhe nëse lufta në Ukrainë përfundon së shpejti, kanalizimi i të hollave në ushtri dhe në sektorin e fryrë të mbrojtjes do të mbetet prioritet i lartë” – raportoi “Bell”, medium rus i përqendruar në ekonomi.
“Është e qartë se shpenzimet në ushtri dhe siguri do t’i tejkalojnë shpenzimet e kombinuara në arsim, kujdes shëndetësor, politika sociale dhe ekonomi kombëtare” – thuhet më tej.
Sipas projekt-buxhetit, shpenzimet sociale pritet të pakësohen për 16 për qind, nga 7,7 trilionë rubla këtë vit në 6,5 trilionë rubla vitin e ardhshëm.
Investimet masive ruse në ushtri i kanë shqetësuar planifikuesit evropianë të luftës, të cilët kanë thënë se NATO-ja e ka nënvlerësuar aftësinë e Rusisë për të mbajtur gjallë një konflikt afatgjatë. Ndërkohë, Ukraina po ballafaqohet me paqartësi për nivelin e përkrahjes nga aleatët e saj më të ngushtë në të ardhmen.
Kjo e ka shtuar vetëbesimin në Moskë, ku Putini me mburrje tha të hënën se “të gjitha qëllimet e caktuara” të luftës në Ukrainë “do të arrihen”./Nacionale