Rusia pretendon se ka shënuar përparim në lindje pas dërgimit të trupave shtesë
Rusia pretendoi të martën se ka marrë nën kontroll pjesë të mëdha territoresh në pjesën lindore të Ukrainës pas sulmeve të gjata e të pamëshirshme e dërgimit të trupave shtesë në atë zonë rishtazi.
Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, tha se forcat ruse e kanë kontrollin në 97 për qind të territorit të Luhanskut, rajon në lindje të Ukrainës.
Rusia ka deklaruar se marrja e kontrollit të tërë rajonit të Donbasit, ku përfshihen Donetsku dhe Luhansku dhe ku separatistët pro-rusë kanë luftuan kundër qeverisë ukrainase nga viti 2014, është qëllimi kryesor i saj në atë që e quan operacion special ushtarak. Ky rajon rishtazi i ka pësuar pasojat më të rënda të sulmeve ruse.
Nuk është e qartë nëse Rusia do të mundohet që ta zgjerojë ofensivën në pjesë të tjera të Ukrainës, nëse e merr Donbasin. Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, paralajmëroi të hënën se nëse Perëndimi i ofron Ukrainës raketa me rreze të gjatë, që mund të arrijnë në territorin rus, Moska do të kundërpërgjigjet duke e shtyrë ofensivën në pjesë më të thella të Ukrainës.
Ministri Shoigu pretendoi se forcat ruse kanë marrë nën kontroll zona banimi në Sievierodontesk dhe po luftojnë për të marrë nën kontroll një zonë industriale në periferi të këtij qyteti dhe qytezat përreth zonës.
Ai shtoi se trupat ruse janë duke e shtyrë ofensivën drejt qytezës Popasna dhe theksoi se ato e kanë marrë kontrollin e Lyman-it dhe Sviatohirsk-ut si dhe të 15 qytezave të tjera në rajon.
Shoigu tha se 6.489 ushtarë ukrainas janë kapur dhe janë burgosur që nga fillimi i operacionit ushtarak në Ukrainë, përfshirë 126 në pesë ditët e fundit.
Një zyrtar ukrainas tha të martën se Moska është duke dërguar përforcime trupash në lindje të Ukrainës dhe se sulmet ruse me artileri e kanë për qëllim dobësimin e aftësisë mbrojtëse të Ukrainës.