Rusia pretendon se forcat e saj po avancojnë në jug të Ukrainës
Forcat ruse të hënën ishin duke avancuar në pjesën jugore të Ukrainës dhe kanë përshkuar një pjesë të vijave ukrainase më pak se 50 kilometra në juglindje të qytetit Zaporizhia, sipas zyrtarëve rusë e blogerëve ushtarakë pro-rusë.
Agjencia e lajmeve “Reuters” nuk arriti t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur këto pretendime dhe nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në një deklaratë se forcat e saj e kishin marrë nën kontroll fshatin Stepove në rajonin Zaporizhia, duke i shtyrë vijat ukrainase.
Yuri Podolyaka, njëri nga blogerët ushtarakë pro-rusë më me ndikim, tha se forcat ruse gjithashtu i kishin hapur rrugë vetes në fshatin Maly Shcherbaky.
“Njësitet tona kanë depërtuar nëpër vijën e parë të mbrojtjes në drejtimin e Zaporizhia-s” – tha Podolyaka.
Rusia të dielën u mundua t’i dëbonte ushtarët e fundit ukrainas nga pjesa perëndimore e territorit rus pas shtatë muajve pushtim nga Ukraina në një pjesë të rajonit Kursk me qëllim të devijimit të forcave ruse dhe të fitimit të një leve në bisedimet e mundshme të paqes.