Rusia pranon se të hyrat nga nafta dhe gazi i ranë për 47 për qind këtë gjashtëmujor
Sipas disa të dhënave zyrtare të autoriteteve ruse, të publikuara të premten, të hyrat e Rusisë nga nafta dhe gazi kanë rënë për hiç më pak se 47 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas një raporti të Ministrisë së Financave, rënia e të hyrave është e lidhur me çmimet më të lira të naftës dhe gazit dhe me pakësimin e eksportimit të gazit natyror, raporton agjencia “Anadolu”.
“Dinamikat mujore të të ardhurave nga nafta dhe gazi janë duke lëvizur gradualisht drejt një trajektore që i përgjigjet nivelit të tyre bazë (tetë trilionë rubla në vit”- tha Ministria e Financave e Rusisë.
Në dhjetorin e vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kanadaja, Japonia dhe Australia vendosën kufi të çmimit prej 60 dollarësh për fuçi për naftën ruse që transportohet përmes detit, ndërsa në shkurtin e këtij viti, kufiri i çmimit iu vendos edhe produkteve të benzinës.
Në janarin e këtij viti, Amos Hochstein, bashkërendues i posaçëm presidencial i presidentit amerikan, Joe Biden, tha se skema e Grupit G7 për kufirin e çmimit ndaj naftës ruse ishte duke funksionuar, raporton televizioni CNBC.
Nisma për kufirin e çmimit ishte paraqitur më 5 dhjetor, kur Bashkimi Evropian e ndërpreu blerjen e naftës së papërpunuar ruse. Sipas skemës së kufirit të çmimit, blerësve jashtë Grupit G7 që përdorin shërbime perëndimore, si rrugë detare, sigurime ose financim, të mos paguajnë më shumë se 60 dollarë për fuçi për naftën e papërpunuar ruse që transportohet përmes rrugëve detare.
