Rusia po i shton forcat në lindje - Përmbledhje zhvillimesh për luftën në Ukrainë
Rusia ka thënë se një luftanije e saj në Detin e Zi është dëmtuar seriozisht dhe ekuipazhi është evakuuar, pasi një zjarr shkaktoi shpërthim të municionit. Një zyrtar ukrainas tha se kjo anije është goditur nga dy raketa.
Luftimet
Televizioni rus publikoi pamje të atij që e quajti dorëzim të ushtarëve ukrainas në qytetin e rrethuar të Mariupolit. Në ekran u shfaqën burra të paarmatosur me uniforma ushtarake duke ecur me duar lart dhe të përcjellë nga ushtarë të maskuar.
Rusia po i shton forcat për një sulm të ri në rajonin lindor të Donbasit, duke e përgatitur skenën për një betejë të zgjatur që, me gjasë, do t’u shkaktojë humbje të mëdha të dyja palëve.
Kryetari i qytetit verilindor ukrainas, Kharkiv, që është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, tha se bombardimet janë shtuar në masë të konsiderueshme.
Rusia ka thënë se do t’i shohë ci caqe legjitime ushtarake automjetet e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s që transportojnë armë në territorin ukrainas.
Diplomacia
Për herë të parë, presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se pushtimi rus i Ukrainës përbën gjenocid. Megjithatë, presidenti francez ka refuzuar që ta përdorë termin gjenocid.
Një mision i ekspertëve, i hartuar nga OSBE-ja, ka gjetur dëshmi të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit nga Rusia në Ukrainë. Rusia vazhdimisht ka mohuar se i ka në shënjestër civilët.
Zyrtarë të lartë amerikanë po e shqyrtojnë mundësinë që të dërgojnë ndonjë zyrtar të lartë të qeverisë amerikane në Ukrainë si sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ose sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, në Kiev për të shfaqur solidaritet me Ukrainën, tha një burim me njohuri për këtë çështje.
Australia u ka vendosur sanksione financiare 14 ndërmarrjeve shtetërore ruse.
Policia në Fixhi po e heton ardhjen e një super-jahti, që dyshohet se është i miliarderit rus, Suleiman Kerimov, që është nën sanksione perëndimore.
Ekonomia dhe biznesi
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se vendi i tij mund t’ua ndryshojë me lehtësi drejtimin eksporteve të energjisë nga Perëndimi për në vendet që vërtet kanë nevojë për to si dhe ta rrisë konsumin e brendshëm të naftës, gazit dhe thëngjillit.
Britania ka thënë se u ka vendosur sanksione të reja 206 individëve si reagim ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
Citati
“Ne nuk e dëshiruam këtë, na falni”, thuhet në një mesazh të shkruar në murin e një shtëpie në fshatin Lubianka, në veriperëndim të Kievit, që është pushtuar nga forcat ruse.